Profesorët e “dajakut”

Autori:Zekirja Shabani

Gani Sopjani, nuk është i vetmi mësimdhënës që rrah nxënësit. Raste si ai i javës së kaluar në Rahovec, ka edhe në shumë shkolla të tjera të Kosovës.

Vetëm gjatë vitit 2015, sipas raportit të Policisë së Kosovës, ka pasur 120 raste të dhunës që ka përfunduar me lëndime të lehta trupore. Në 14 raste tjera në shkolla fillore e të mesme Gazeta Fjala mëson se është raportuar për lëndime të rënda.

Në shkollat e Kosovës gjatë vitit 2015 kanë ndodhur 5 ngacmime seksuale derisa janë shënuar 7 raste të posedimit të substancave narkotike e 3 tentim vetëvrasje.

Të dhënat tregojnë se edhe nxënësit nuk shkojnë duarthatë në shkollë.

Në raportin e policisë, të cilin e posedon Gazeta Fjala thuhet se me armë të ftohta pa leje janë raportuar 36 raste, ndërkaq me armë zjarri janë kapur 20 persona nëpër shkolla.

Madje, në raport shihet se 11 herë vitin e kaluar dikush ka tentuar t’ia vë zjarrin shkollave në disa qytete të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, incidentet më të shpeshta ndodhin në shkollat e mesme, për shkak të numrit më të madh të nxënësve.

Duke u bazuar në raportin e Policisë, që posedon Gazeta Fjala, në incidentet e ndara sipas drejtorive rajonale, del se shkollat e kryeqytetit prijnë me numër të rasteve të dhunës dhe telasheve tjera, me 285 raste, pasojnë shkollat e Ferizajit me 68 raste, Gjilanit me 65, Peja me 55 raste, Prizrenit me 48 raste, Gjakova 27, Mitrovica e Jugut 18, ndërsa ajo e veriut me vetëm një rast.

polic

“Kryesisht incidentet ndodhin më shumë në shkollat e mesme apo në afërsi te tyre, se sa ne ato fillore dhe numri me i madh i rasteve të raportuara është në DRP-Prishtinë, për arsye se ka numër më të madh të popullatës-nxënësve dhe shkollave të mesme”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Policisë për Gazetën Fjala.

Ndaj të gjitha këtyre, policia thotë se kanë marrë masa konform ligjit.

Megjithatë, legjislacioni i cili rregullon çështjet e arsimit parauniversitar po shkelet nga vetë mësimdhënësit të cilët ushtrojnë dhunë ndaj nxënësve.

Video ku shihet i rrahur nxënësi në një shkollë të Rahovecit, tregon dhunën që kishte shfaqur mësuesi Sopjani, gjatë zhvillimit të procesit mësimor, e që është në kundërshtim me legjislacionin për Arsimin Parauniversitar, në Republikën e Kosovës,  rregullorja QRK Nr.21/2013 , në të cilën thuhet se: “Ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit është i ndaluar në të gjitha Institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike, ose private”.

Kjo është edhe vepër e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës.

Dënimi që mund të marr personi zyrtar për shkak të keqpërdorimit të detyrës së tij, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës, mund të jetë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Edhe sociologët thonë se është absurde mënyra se veprojnë mësimdhënësit ndaj nxënësve në disa raste.

“Është absurd i llojit të vet të shohësh sot ne shekullin e revolucionit teknologjik që nëpër shkollat tona të rrahën në mënyrë aq mizore nxënësit adoleshent”, thotë për Gazetën Fjala sociologu Fadil Maloku.

Maloku dhunën në shkolla e cilëson si pasqyrë të mentalitetit kolektiv, madje një arsyetim sipas tij i kësaj gjendje është edhe faza e tranzicionit që ka vendi.

Fajin ua hedh Institucioneve përgjegjëse dhe  mungesës së kontrollit mbi stafin pedagogjik.

“Dhuna në shkolla është padyshim “produkt” dhe pasqyrë e sjelljeve, mentalitetit, dhe etnipsikologjisë sonë kolektive në jetën e përditshme edhe si shoqëri, por edhe si vend që po përjeton akoma ethet e procesit te tranzicionit”.

Kjo sipas tij tregon shenja të papjekurisë, injorancës dhe moskujdesit nga mbikëqyrja e institucioneve dhe abstenimit të institucioneve nga kontrolli mbi shkollat dhe stafin pedagogjik. /Gazeta Fjala/

(Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/profesoret-e-dajakut/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala