Problemet tregtare Kosovë-Shqipëri

Autori:Avdyl Pajaziti

Përkundër shumë marrëveshjeve mes dy vendeve raportet tregtare mes Kosovës e Shqipërisë nuk ishin fort të mira. Tendenca për rregullimin e fushës së tregtisë në mes të dy vendeve daton shumë më parë se sa Kosova u konsolidua si shtet i pavarur. Në një analizë të Institutit për Politika Zvillimore INDEP janë përshkruar telashet që i shoqëruan shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve.

Në vitin 2003, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë. Mirëpo, rrjedha e ngjarjeve dhe eksperiencat tregtare në mes të dy vendeve, sidomos në kohët e fundit, nuk është se kanë qenë të kënaqshme. Edhe pse kemi pasur rritje të qarkullimit tregtar e gjitha kjo është përcjellë me barriera të ndryshme, të cilat kanë kufizuar qarkullimin e mallrave në mes të dy vendeve. Nëse ecet në këtë rrugë dhe nuk do të ketë një orientim strategjik afatgjatë dhe sektorial, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të mbetet në nivele të tilla dhe jo të një tregu të unifikuar ekonomik prej 6 milion konsumatorësh. Periudha nga viti 2010 paraqet marrëdhënie të tensionuara ekonomike në mes të dy vendeve. Fenomeni i barrierave tregtare në mes tyre nisi me pataten dhe rrushin e Kosovës, pastaj me çimenton shqiptar dhe më vonë u intensifikua si konflikt në mars 2013 me qumështin, dhe përfundimisht në vitin 2014 me barnat dhe miellin. Çështja e barnave, për shkak të dallimit në legjislacionin relevant në mes të dy vendeve, vazhdon të paraqes problem edhe në këtë fillim viti.

Në qershor të vitit 2011, në mes të dy vendeve u firmos një marrëveshje për tregtinë e lirë të mallrave, kësaj here me Kosovën në rolin e një shteti të pavarur, e cila vinte pas konflikteve të shpeshta gjatë vitit 2010 për disa produkte konsumi. I gjithë konflikti filloi me problematikën e patateve dhe çmimit të lartë të referencës të imponuar nga ana e autoriteteve shqiptare. Ky problem filloi të adresohet në fund të vitit 2011, përderisa në mars të vitit 2012, përmes një udhëzimi administrativ, Ministria e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri kërkoi që kur të bëhet zhdoganimi i produkteve bujqësore nga importi të mos merret parasysh çmimi i transaksionit, por të përdoret çmimi referent. Me këtë rast, eksportuesit Kosovar të patates iu nënshtruan një penalizmi të përmasave të mëdha, ku çmimi referent ishte 24 centë për kilogram në krahasim me vlerën origjinale të patates prej 0.05 EUR për kilogram, duke përfshi këtu taksën doganore prej 20%. Si pasojë, tregtarët nga Kosova nisën të përballën me konkurrencë jo të ndershme dhe si rrjedhojë u bllokua tregtimi i këtij produkti në Shqipëri. Problemi është adresuar në fund të po të njëjtit vit, pas kërcënimeve nga ana e Ministrisë dhe Tregtisë në Kosovë për angazhimin e tyre për prezantimin e çmimeve të referencës për produktet nga Shqipëria. Po ashtu gjatë këtij viti, Shqipëria prezantoi kuotën për disa produkte konsumi nga Kosova siç është rasti me verën. Mirëpo, në anën tjetër Kosova nuk është se nuk iu kundërpërgjigj një veprimi të tillë, pasi që në verën e vitit 2012, Kosova vendosi taksën doganore për çimenton që vinte nga Shqipëria.

Fluksi i problemeve dhe mosmarrëveshjeve në mes të dy palëve nuk është se ndaloi me kaq. Në muajt e parë të vitit 2013 vijuan përplasjet për qumështin dhe më pas për miellin. Sipas analizave të kryera nga Autoriteti Kosovar i Veterinarisë, disa produkte të qumështit kishin përmbajtje mbi normat e lejuara të aflatoksinës. Njoftimi u publikua vetëm nga ky autoritet, duke njoftuar mediat dhe publikun e Kosovës, ndërsa pala shqiptare e mësoi lajmin shumë vonë. Një hap i tillë u konsiderua si shkelje e një prej pikave të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Shqipëri dhe autoriteteve përkatëse Kosovar nën udhëheqjen e Ministrit të Punëve të Jashtme nga Kosova,27 ku parashikohej që në rast të problemeve të tilla të bëhej njoftimi i palëve për çdo produkt që ka origjinë shqiptare ose anasjelltas. Ndërkohë që autoritetet kosovare nuk e kanë respektuar marrëveshjen, duke e bërë publik faktin në media para se të konsultoheshin mes tyre. Njëjtë si një vit më parë, lufta e ‘kthimit të borxhit’ vazhdoi avazin e vet. Andaj, si kundërpërgjigje, Shqipëria dha urdhër për të bllokuar sasitë e miellit që vijnë nga Kosova, për shkak të nivelit të ulët të kualitetit të produktit të plasuar në tregun e Shqipërisë, i cili gjoja se nuk ishte në përputhje me standardet evropiane. Cikli i konflikteve u plotësua edhe me faktin që pala shqiptare vendosi të bllokonte edhe produktet farmaceutike të ardhura nga Kosova, ku në shtator 2014, u vendos që të mos lejohej regjistrimi i këtyre barnave në Shqipëri pa dhënë ndonjë shpjegim konkret për një veprim të tillë.

Përgjithësisht, bllokadat tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë u zhvilluan me produktet me të frekuentuara dhe ne fazat më kritike të shkëmbimit tregtar. Këto ngjarje dhe pakënaqësi janë ende të freskëta, mirëpo që pas përmbylljes së konfliktit me miellin dhe barnat, kemi një situatë më të qetë dhe një impenjim më të lartë të të dyjave palëve për të mos lejuar përsëritjen e problemeve të tilla. Përkundër faktit që masa të tilla bllokuese ndërmerren nga institucionet udhëheqëse, perceptimi në shoqëri dhe në rrethet biznesore është se këto probleme rrjedhin si pasojë e interesave të ngushta dhe lobimeve nga palët e bizneseve dominonte në të dyja anët e kufirit. Në këtë pikë vlen të përmendet fakti që “problemet në procedurat doganore janë të shumta dhe njëkohësisht të rregullta edhe me vendet tjera me të cilat Kosova është e përfshirë në marrëdhënie tregtare, mirëpo, në rastin me Shqipërisë, këto shpesh bëjnë bujë më të madhe duke u bërë prehë e lobimit mediatik në vend.

Viti 2014 dallohet si një vit kur të dyja palët janë përkushtuar më dukshëm në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe ndërmarrjen e hapave konkrete drejt një qëllimi të tillë. Me 16 prill 2014, u themelua edhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë e cila ka për mision promovimin e prodhimeve shqiptare dhe eliminimin e barrierave për prodhuesit shqiptarë. Në anën tjetër, Shqipëria dhe Kosova me ndihmën e USAID-it do të bëjnë një vetëvlerësim të legjislacionit dhe praktikave tregtare për të identifikuar të gjitha barrierat që ekzistojnë në fushën e tregtisë mes këtyre dy vendeve, gjë për të cilën janë dakorduar të dyja palët gjatë një punëtorie të mbajtur gjatë muajit maj në Tiranë për lehtësimin e Tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Përfundimisht, me 4 shtator 2014 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Odës Ekonomike të Kosovës. Sipas objektivave të definuara, dhomat do të përkushtohen drejt promovimit, përkrahjes dhe ngritjes së nivelit të bashkëpunimit reciprok mes tyre, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe social, si dhe të këmbejnë informacione nga bazat e veta të të dhënave lidhur me aktivitetet e tyre dhe të bizneseve anëtare, me synim të integrimit evropian të komunitetit kosovar në raportet ndërkombëtare, si dhe përgatitjen e propozimeve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, që kanë të bëjnë me përkrahjen e komunitetit të biznesit kosovar. Po ashtu, ata do të paraqesin ofertat e përbashkëta si dhe do të përkushtohen rreth realizimit të projekteve të përbashkëta.

Studimi i INDEP në fund vlerëson se përderisa fundi i vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015 i gjen vendet në një fluks të vizitave bilaterale në nivel ministror. Të gjitha këto na bëjnë të kuptojmë qe krijimi i një zonë unike ekonomike në mes të këtyre dy vendeve nuk është diçka larg mendjes.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/problemet-tregtare-kosove-shqiperi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala