Pritet të rrënohen dy shtëpitë, janë pengesë për autostradën në Veternik (FOTO)

Autori:Zekirja Shabani

Autostrada që lidhet me rrugën e Gjilanit, Ferizajt, e Mitrovicës, te ura, në Veternik, ka mbetur e papërfunduar për 50 metra për shkak se dy shtëpi janë duke penguar përfundimin e një pjesë të këtij projekti.

Kështu, dy pronarët e shtëpive kanë marrë mjetet e shpronësimit, por njëri prej tyre s’është duke pranuar vendimet e Shtetit.

Këshilltari i Ministrit Lutfi Zharku, Mustafë Krasniqi ka thënë se i kanë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe se tash ka mbetur vetëm të rrënohen objektet për të vazhduar punën në autostradë.

“Përqindja më e madhe e kësaj lidhje të autostradës është realizuar. Mirëpo, problemi është te dy objektet. Një pronar i një objekti e ka pranuar vendimin përfundimtar të shpronësimit. Mjetet i janë transferuar. Ka të drejt ankese në Gjykatë. Kjo është procedurë që vazhdon por neve nuk na pengon me i marrë hapat ligjor për lirimin e asaj pjese dhe të vazhdimit të punimeve në atë pjesë”, ka thënë Krasniqi, për Express.

Ndërkohë, ai ka treguar se pronari i objektit tjetër s’është duke pranuar fare të shpronësojë pronën e tij.

“Nuk ka pranuar fare që objekti i tyre të shpronësohet. Kemi pasur disa takime por s’ka pranuar të shpronësohet”, ka treguar ai.

“Ne kemi dërguar shkresën se brenda një jave duhet të lirohen objektet. Objekti duhet të lirohet dhe brenda ditëve në vijim besojmë se do të lirohen objektet dhe punët do të vazhdojnë. Inspektorati ju ka dërguar shkresat dhe ju ka dhënë edhe afatet ligjore për largim nga objektet”, ka shtuar ai. / Gazeta Express

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pritet-te-rrenohen-dy-shtepite-jane-pengese-per-autostraden-ne-veternik-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala