Pritet prodhim rekord i patates

Ky vit do të jetë i bereqetshëm për kultivuesit e patates të komunës së Vushtrrisë, nëse kushtet klimatike do të jenë të favorshme për pataten, sikurse deri më tani, kanë vlerësuar në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi dhe Zhvillim në komunën e Vushtrrisë.
Edhe plasimi i prodhimeve në treg nuk do të jetë më problem i madh për prodhuesit e patates, pasi që pothuajse të gjithë prodhuesit e komunës së Vushtrrisë janë kooperues të kompanisë “Vipa Pestova”. Mbase nuk do të ndodhë më, që prodhuesit ta hedhin pataten në lumin Sitnica, për shkak se nuk kanë mundur ta shesin, siç ka ndodhur më përpara, shkruan Zeri.
Arta Haxhaj, drejtoreshë e DEBZH-it, i ka thënë gazetës se komuna e Vushtrrisë është një ndër komunat e para në Kosovë me potenciale të mëdha të prodhimeve bujqësore. Ajo shtoi se rreth 7 mijë hektarë janë përfshirë në sistemin e ujitjes dhe se kultura kryesore bujqësore është patatja.