Pritet pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin?

Autori:Avdyl Pajaziti

Dërgimi i Marrëveshjes për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, nga ana e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, do të pezullojë marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo do të bëhet me kërkesë të Presidentes e cila do të kërkojë masë të përkohshme.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka shpalosur sot vendimin e saj për t’a dërguar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të arritur gjatë muajit gusht në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe, për të parë nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatë vjen pas takimeve të Jahjagës me partitë në pushtet dhe ato opozitare. Por, plani i saj është hedhur poshtë nga opozita e cila ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të nënshkrimit nga Marrëveshja me Serbinë.

Sido që të jetë Jahjaga sot ka shpalosur planin e saj për ta dërguar këtë cështje në Gjykatën Kushtetuese.

“Në takime të ndara, të cilat i kam pasur me kryeministrin e vendit dhe me zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Jahjaga.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se Jahjaga do të kërkojë masë të përkohshme për pezullimin e marrëveshjes.

“Presidentja pritet të kërkojë masë të përkohshme që nënkupton pezullimin e marrëveshjes deri në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, kanë thënë burime të gazetës.

Mbetet të shihet nëse opozita do të heq dorë nga bllokimi i seancave deri në përgjigjen e Gjykatës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pritet-pezullimi-i-marreveshjes-per-asociacionin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala