Pritet arrestimi i Albulena Haxhiut

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu mund të arrestohen në çdo moment, pasi ka refuzuar të paraqitet në polici pas incidenteve që shkaktoj javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Policia e Kosovës, ka njoftuar se i kanë dërguar thirrje për tu paraqitur në stacionin policor për të dhënë deklaratë lidhur me ngjarjet e fundit, por ajo ka refuzuar.
Të martën në një konferencë për medie, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka bërë të ditur se kishte lëshuar thirrje për deputetët e Vetëvendosje, Albulena Haxhiun dhe Albin Kurtit, por që të dy kanë refuzuar të paraqiten në polici, raporton Gazeta Fjala.
Mirëpo ky i fundit është ndalur të hënën nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë së Shtetit.
Pas ndalimit të Kurtit është zhvilluar një protestë e dhunshme para stacionit policor “Qendra” në Prishtinë në shenjë pakënaqësie duke hedhur gurë në drejtim të këtij stacioni.
“Veprimi i mbrëmshëm ka qenë ekstrem i dhunshëm dhe si pasojë e kësaj kemi 15 policë dhe një qytetar i lënduar”, është shprehur Maxhuni.
Për arrestimin e deputetit Albin Kurti, Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit tha se Prokuroria është përpjekur që të përshpejtoj procedurat e intervistimit të Albin Kurtit duke i ofruar edhe avokat mirëpo ai ka refuzuar duke kërkuar që të mbrohet në heshtje./Gazeta Fjala/