Prishtina pret 5 milionë euro të hyra nga legalizimi i objekteve pa leje

Autori:Avdyl Pajaziti

Komuna e Prishtinës, në bazë të planifikimit buxhetor për vitin 2016, vetëm nga legalizimi i objekteve pa leje pret 5 milionë të hyra vetjake.

Ky synim është përshkruar edhe në Kornizën afatmesme buxhetore 2016-2018, i cili është paraqitur dhe ka kaluar në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë e Financa, në fund të javës së shkuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Plani buxhetor i miratuar nga KPF-ja nënkupton që do të shqyrtohet edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, që do të mbahet më 29 shtator, një ditë para skadimit të afatit që jepet nga Ministria e Financave, si afat përfundimtar.

Autoritetet komunale kanë sqaruar se ky buxhet llogaritet në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë, më 2011. Sipas këtij regjistrimi, Komuna e Prishtinës kishte 198 mijë e 897 banorë. Deri më 2013 buxheti është llogaritur për 388 mijë e 561 banorë, ose për 200 mijë banorë më shumë. Llogaritja në atë kohë ishte bërë në bazë të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, që e ndjekin mësimin në masën 100 për qind. Sipas autoriteteve komunale ka shumë banorë të Prishtinës, që janë të regjistruar në vendlindjet e tyre në regjistrimin e fundit të popullsisë, derisa Komuna i shërben një numri të madh të qytetarëve që nuk janë banorë të Prishtinës.

Sidoqoftë, buxheti i planifikuar për vitin 2016 është 65 milionë e 883 mijë e 762 euro, që i bie rreth 17 milionë euro më pak se parashikimet e mëparshme, sipas të cilave komuna llogaritej me afërsisht 200 mijë banorë më shumë. Në vitin aktual, buxheti komunal është 62 milionë euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/prishtina-pret-5-milione-euro-te-hyra-nga-legalizimi-i-objekteve-pa-leje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala