Prishtina pa monitorim të kamerave edhe këtë vit

Autori:Avdyl Pajaziti

Vendosja e kamerave nëpër rrugët e Prishtinës, dështuan tash e dy vjet me radhë. Qeverisja e kaluar kishte thënë se do të vendosen rreth 200 kamera në rrugët qendrore, si sheshin “Nënë Tereza”, “Bill Klinton”, rrugët “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj”, në hyrje-daljet e kryeqytetit, si dhe te rrethi për Fushë Kosovë, në daljen për në “Veternik” etj.

Ndërkaq tenderi për vendosje e tyre deri më tani është anuluar katër herë. Se a do të vendosen dhe kur mund të vendosen, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë për Indeksonline se procesi i vendosjen së kamerave në kryeqytet është në procedurë, ku së pari do të bëhet studimi i fizibilitetit për vendosjen e tyre, mënyrën e monitorimit, pikat publike ku do të vendosen dhe vendi i monitorimit.

“Pas studimit te fizibilitetit përgatitet projekti për tenderim,kurse vlera e projektit përafërsisht përcaktohet nga të dhënat që dalin nga studimi i fizibilitetit, ndërsa kostoja e sakte dihet vetëm pasi që të kryhen të gjitha procedurat e prokurimit dhe hapjes se ofertave. Edhe buxhetin për këtë projekt e planifikojmë në bazë të analizës së studimit të fizibilitetit”, ka thënë Mullafazliu.

Të njejtën e ka thënë edhe drejtori në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Ardian Gashi.

“Do të hapet konkurs për të studiuar fezibilitetin e çdo sistemi, dhe mendoj që gjatë këtij viti do të shpallet konkursi, ndërsa vitin tjetër pas rezultateve që do të na japë konkursi do të propozojmë tenderët se çfarë kamerash do të instalojmë në Prishtinë”, ka thënë Gashi.

Sipas zëdhënëses në Komunën e Prishtinës planifikimi për realizimin e këtij projekti është paraparë për vitin e ardhshëm, por kjo nuk do të thotë se do të mund të përfundoj në tërësi pasi që qyteti ka territor të madh dhe është në rritje të vazhdueshme, por investimet në fushën e sigurisë do të vazhdojnë dhe do të përcaktohen sipas nevojës./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/prishtina-pa-monitorim-te-kamerave-edhe-kete-vit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala