Prishtina me plane për Barilevën

Komuna e Prishtinës organizoi diskutim publik me banorët e fshatit Barilevë për projekte të veçanta zhvillimore ekonomike, përfshirë infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit në lagje të ndryshme, ndriçimin dhe investime të tjera për të cilat kanë nevojë banorët e këtij fshati, njofton kumtesa komunale.
I pranishëm në këtë diskutim publik ishte drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla i cili tha se potencialet për zhvillimin e bujqësisë në fshatrat e Komunës së Prishtinës janë shumë të mëdha.
Sveçla i informoi edhe për disa projekte infrastrukturore të cilat janë në fazë të tenderimit si dhe për disa projekte të tjera të veçanta planifikuar të realizohen gjatë viteve të ardhshme. Ai përmendi edhe përgatitjen e tenderit për rrugën kryesore në vlerë prej 1 milion euro. Po ashtu, në realizim e sipër është kanalizimi në “lagjen e Xhafollëve”, ndërsa është nënshkruar kontrata dhe brenda disa ditëve fillojnë punimet në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në “lagjen e Llumnicëve”.
Gjithashtu, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit dhe ujësjellësin “KUR Prishtina” janë duke i realizuar edhe disa projekte infrastrukturor që përfshijnë një pjesë të fshatit Barilevë dhe një pjesë të territorit të Komunës së Obiliqit.