Prishtina mbetet pa kinema

Ka dy javë që nuk është shfaqur asnjë film në kinemanë e vetme të kryeqytetit, ABC në Prishtinë. Një defekt në aparaturën digjitale ua ka pamundësuar qytetarëve të shohin filmat e fundit, të cilët po transmetohen në gjithë botën.
Miradije Vllahiu, drejtoreshë në ABC, ka konfirmuar për Gazetën Fjala se rivënia në punë e kinemasë po merr kohë për shkak të mungesës së pajisjeve në tregun e Kosovës.
“Kinemaja ABC po përballet këto kohet e fundit me probleme teknike për shkak te prishjeve në teknologjinë digjitale. Bashkë me Autoritetin e Likuidimit të AKP-së jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të sanuar këtë gjendje që ka vështirësuar funksionimin normal të kinemasë”, ka thënë Vllahiu.
Sipas saj, në tregun e Kosovës nuk ka mundësi te gjenden këto pajisje, si dhe konformë respektimit të procedurave ligjore të domosdoshme, të cilat kanë nevojë për afate kohore janë në kontakt me partneret e kontraktuar për servisim që ti rregullojnë këto probleme./Gazeta Fjala/