Prishtina kushtëzon dialogun

Qeveria dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk e shohin të arsyeshëm vazhdimin e dialogut me Beogradin në procesin që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përderisa pala serbe të mos zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani.
Valon Murtezaj, këshilltar për punë të jashtme i kryeministrit të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina zyrtare kërkon që të ketë një pasqyrë të qartë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog, para se të hapen temat e tjera.
“Qëndrimi i kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës është se duhet të kemi evidencë, tregues të qartë të progresit në zbatimin e marrëveshjeve paraprake të arritura, në mënyrë që të mund të vazhdohet qoftë me marrëveshje të reja apo të bisedohen çështje tjera”, ka thënë Murtezaj.
Sipas Valon Murtezajt, vazhdimi i dialogut përderisa nuk ka zbatim të marrëveshjeve paraprake, do të ishte i pakuptimtë.
Ai ka veçuar disa nga marrëveshjet që pala serbe, sipas tij, nuk i ka zbatuar dhe të cilat, pala nga Prishtina insiston që të zbatohen, për të vazhduar tutje me takimet e radhës në nivel të kryeministrave në Bruksel.
“Prioritetet për t’u zbatuar janë, marrëveshja e drejtësisë e arritur së fundi, pastaj zhbërja e strukturave paralele apo siç quhen nganjëherë paramilitare apo të mbrojtjes civile dhe integrimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës konform rregullave, pastaj lëvizja e lirë, përfshirë edhe heqjen e barrikadave, siç është një prej tyre mbi Urën e lumit Ibër, si dhe ndalimin e emërimit të strukturave të reja paralele”, ka theksuar Murtezaj. REL