Preteni kërkon rritje të pagave për stafin e vet

Autori:Avdyl Pajaziti

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk është vend atraktiv për të punuar.

Ky institucion ka problem të rekrutojë persona të kualifikuar për drejtorë të departamenteve për shkak të natyrës së punës dhe mungesës së pagave të dinjitetshme, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë arsyetim, kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financave, të mërkurën, rritjen e pagave për stafin e vet.

“Nuk po them për pagën e kryetarit, sepse ajo është një pagë e mirë dhe e dinjitetshme, por kërkoj rritjen e pagave për stafin tim”, ka thënë Preteni.

Ai ka thënë se stafi i tij është duke punuar dhe duke kompletuar të gjitha dyshimet për korrupsion dhe duke i dërguar si kallëzime penale në prokurori. Mirëpo, e ka kritikuar gjyqin për mosveprim.

Preteni ka marrë akuza për prishje të imazhit të deputeteve pa argumente. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka thënë se AKK-ja nuk mund t’i ngrejë dyshime e të dorëzojë kallëzime penale kundër deputeteve pa pasur fakte të forta. Këtë deklaratë ai e ka bërë pas publikimit të lajmit se deputetja Duda Balje është shpallur e pafajshme nga Gjykata në rastin e kallëzimit penal të ngritur nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Deputetja Besa Gaxheri ka kërkuar nga AKK-ja që para se të ndërmarrë ndonjë veprim kundër deputetëve të kontaktojë me ta për të eliminuar keqkuptimet dhe paqartësitë, sepse, siç po veprohet aktualisht, është duke u dëmtuar imazhi i deputetit dhe i institucionit të Kuvendit të Kosovës.

Preteni nuk ka folur për shpalljen e pafajësisë së deputetes Balje, por është arsyetuar se Ligji i miratuar nga Kuvendi e obligon AKK-në që të raportojë rastin në Gjykatë nëse ka mospërputhje në mes të deklarimeve të zyrtarëve të lartë dhe të dhënave të Ministrisë së Financave.

Komisioni për Buxhet dhe Financave e ka përkrahur raportin financiar të AKK-së dhe të njëjtin e ka proceduar për miratim në seancën e Kuvendit të Kosovës. Është shqyrtuar dhe miratuar edhe raportit vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2014. Pa vërejtje, ky komision ka përkrahur edhe raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2014.

Adnan Merovci, kryetar i KPM-së, ka kërkuar që në rishikimin e buxhetit të shtohet buxheti për këtë institucion pasi aktualisht e ka të pamundur t’u dalë në krye të gjitha obligimeve ligjore që dalin nga institucioni.

LDK-ja e Vetëvendosja nuk kanë arritur t’’i kthejnë mbrapsht emrat e propozuar nga Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për plotësimin e dy pozitave për anëtarë joekzekutivë të Bordit të BQK-së. Pas diskutimit, anëtarët e Komisionit rekomanduan që ky propozim të procedohet në seancë të Kuvendit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/preteni-kerkon-rritje-te-pagave-per-stafin-e-vet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala