Presidentja propozon Auditorin e Përgjithshëm

Autori:Avdyl Pajaziti

Gati tre muaj iu deshën presidentes së shtetit, Atifete Jahjaga, që të përmbyllë procesin e përzgjedhjes së kandidatit që do t’ia propozojë Kuvendit për shef të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por të premten i tërë procesi, që rezultoi me presione politike të konfirmuara nga vetë zyra e saj, nxori si fitues të garës, të cilën e kishte hapur Jahjaga, një auditor që aktualisht punon në ZAP.

Burime të gazetës brenda Presidencës kanë bërë të ditur se Valbon Bytyçi është emri që do t’i dorëzohet me vendim të presidentes të hënën kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe Kryesisë së Kuvendit, që më pas do të vendosë se kur do të dalë në votim për të matur besimin e deputetëve për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm.

“Bëhet fjalë për kandidatin që ka marrë shumicën e votave të Komisionit, anëtarët e të cilit kanë votuar në mënyrë individuale për secilin nga tre më të mirët që nxorën intervistat”, ka thënë burimi i gazetës. “Në anën tjetër, presidentja ka dashur të tregojë se institucioni lehtësisht mund të udhëhiqet nga njerëzit që kanë kontribuuar me profesionalizëm aty për vite sikurse Bytyçi”, tha burimi.

Zyra e presidentes nuk e ka mohuar se Bytyçi është kandidati për të cilin ka vendosur ajo, derisa është konfirmuar se Kuvendit do t’i dorëzohet të hënën emri i kandidatit për Auditor të Përgjithshëm.

Me vendimin e së premtes Jahjaga ndërkaq ka eliminuar nga gara dy kandidatët e tjerë, të cilët ishin propozuar nga komisioni vlerësues i themeluar nga ajo me një dekret të nxjerrë më 1 prill të këtij viti. Ndër ta ishin Ilaz Duli, aktualisht anëtar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, si dhe drejtori i Auditimit të Brendshëm në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ujkan Bajra.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/presidentja-propozon-auditorin-e-pergjithshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala