Presidentja Jahjaga s’ka koment për draftin Osmani-Deda

Autori:Gazeta Fjala

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka asnjë koment për draft-propozimin pesë pikësh për dalje nga kriza të përpiluar nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.

Propozimi parasheh edhe hetim parlamentar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe zgjidhje të qëndrueshme institucionale për Asociacionin e Komunave Serbe.

Nënshkrimi potencial i kësaj marrëveshje nga liderët politik në Kosovë do të duhej të ndodhte, siç e parasheh draft-propozimi, nën mbikëqyrjen e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Kjo Marrëveshje nënshkruhet nën mbikëqyrjen e Presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend”, thuhet në pikën e katërt të draft-marrëveshjes.

Por këshilltarja e presidentes Jahjaga, Garentina Kraja, ka thënë për Klan Kosovën se e para e vendit nuk ka ende një koment për propozimin nga Osmani e Deda.

“Presidentja nuk ka koment”, ka thënë Kraja në prononcimin e saj të shkurtër.

Përpos heshtjes së Presidentes, të heshtur kanë qëndruar edhe ata që u është propozuar marrëveshja.

As dy liderët e koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi, e as udhëheqësit e Opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limja nuk kanë dhënë mendimet e tyre për propozimin që mëton ta nxjerr vendin nga kriza.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/presidentja-jahjaga-ska-koment-per-draftin-osmani-deda/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala