Presidenti, javën e ardhshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, brenda javës së ardhshme pretendon të ngrihet në maje të shtetit, duke u zgjedhur president i pestë i Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vetë Thaçi, i cili ka siguruar se procedura e zgjedhjet së presidentit do të jetë konform rregullave kushtetuese dhe transparente.

Por, pavarësisht kësaj partnerët tjerë të koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë minoritare thonë se ende nuk kanë biseduar për zgjedhjen e presidentit.

Në anën tjetër partitë opozitare dhe analistët thonë se Thaçi nuk është figurë unifikuese, siç kërkohet të jetë një president i vendit, e për këtë kanë paralajmëruar protesta në ditën që del para Kuvendit për votim.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë se ai dhe partia e tij do ta respektojnë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët tjerë të koalicionit që “përbëjnë rreth 90 deputetë”.

Thaçi ka thënë se zgjedhja e presidentit do të bëhet gjatë këtij muaji, megjithëse, sipas tij, Kryesia e Kuvendit ende nuk ka vendosur për datën e saktë të mbajtjes së seancës.

“Zgjedhja e presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparent gjatë muajit shkurt… Ende nuk është caktuar nga kryesia e parlamentit, por ne do të respektojmë në tërësi procedurat, transparencën e plotë me një president me legjitimitet të plotë qytetar dhe natyrisht në një proces të transparencës së plotë në kuptimin legal”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

I pari i PDK-së më tej ka thënë se ai do të jetë njëri nga liderët më legjitimë në historinë e deritanishme të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/presidenti-javen-e-ardhshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala