Presidenca bënë shkelje me dhënie të subvencioneve

Autori:Avdyl Pajaziti

Organi më i lartë shtetërorë, Presidenca e Kosovës nuk ka përfillur rregullat gjatë dhënies së subvencioneve.

Ky institucion në disa raste ka dhënë subvencione pa vendime.

Kështu ka vlerësuar Auditori i Përgjithshëm në Raportin për Pasqyrat Financiare të Zyrës së Presidentit të Kosovës për vitin 2014.

Auditori ka gjetur se në dy pagesa të subvencioneve në vlerë prej 6 mijë euro, nuk kishte vendime.

“Ishte vetëm një shkresë e ZKA-së për ZKF-në, që të bëhet pagesa me arsyetimin që presidentja është pajtuar për të dhënë këtë subvencion. Pas këshillës së dhënë në memon e auditimit ZPK ka filluar të lëshojë vendime për dhënien e subvencioneve”, thuhet në raport, raporton ORAinfo.

Auditori vlerëson se dhënia e subvencioneve pa vendime përkatëse, rrit rrezikun e pagesave të parregullta dhe krijon një dukuri të anashkalimit të kritereve dhe rregullave të paracaktuara.

Auditori ka rekomanduar sekretarin e Përgjithshëm se duhet të vazhdojë të sigurojë se procesi i dhënies së subvencioneve bazohet në rregulla financiare dhe mbështetet me vendime përkatëse për të siguruar një monitorim efektiv.

Auditori po ashtu ka pasur vërejtje edhe sa i përket sevisimit të automjeteve në Presidencë.

“Për servisimin e automjeteve, ZPK kishte kontratë kornizë nga 17.07.2012 për një periudhë 3 vjeçare. Në kontratë ishte specifikuar që në rastet kur pjesët e automjeteve nuk janë të parapara me kontratë, mund të furnizohen (rregullohen), por vetëm pas vlerësimit nga komisioni i cili do të emërohet për këtë qëllim. Gjatë testimit të dy pagesave në vlerë totale prej 9,189 euro, vërejtëm se një numër i artikujve të furnizuar në vlerë prej 2,569 euro, nuk kishin qenë të specifikuar në kontratë por që ishin faturuar me përshkrimin „”diagnostifikim kompjuterikë”,
por pa u formuar komisioni siq parashihet në kontratë”, thuhet në raport .

Auditori vlerëson se furnizimi me pjesë të automjeteve të cilat nuk ishin të kontraktuara dhe pa formuar komision siç parashihej me kontratë, rrit rrezikun që pjesët e automjeteve të ndërrohen edhe kur nuk është e nevojshme dhe çmimet e pjesëve të jenë mbi çmimet e tregut.

Auditori rekomandon sekretarin e përgjithshëm që përmes menaxherëve të ushtrojë kontrolle të shtuara te kontratat kornizë gjatë zbatimit të tyre në mënyrë që të gjitha specifikat e parapara me kontratë të implementohen në tërësi. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/presidenca-bene-shkelje-me-dhenie-te-subvencioneve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala