Prapaskenat e Isa Mustafës për shkatërrimin politik të Vjosa Osmanit

Autori:Zekirja Shabani

Vjosa Osmani është femra më e votuar në Kosovë. Kjo duket se po e frikëson kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Nga pozita e kryeministrit ai po e përgatit terrenin që t’ia vazhdoj vetes edhe një mandat si i pari i LDK-së, duke ia eliminuar përkrahësit kundërkandidatëve të mundshëm.

Burime të besueshme të Gazetës Fjala brenda LDK-së kanë bërë të ditur se ai ka nisur shkatërrimin politik të Osmanit.

“Qëllimi i Isa Mustafës është që Vjosa Osmani të mos arrijë as të jetë kandidate e deleguar në Kongresin e LDK-së nga Mitrovica”, i ka thënë ky burim Gazetës Fjala.

Sipas tij, ai po e bën duke joshur me poste kryesinë e LDK-së në këtë komunë.

“Fillimisht e ka deleguar Faton Pecin si këshilltar të Ministrit të Kulturës, Kujtim Shalës”, tha burimi i Gazetës Fjala.

Peci njihet si njeri shumë punëtor dhe me ndikim. Por, ai ishte larguar nga pozita e zëdhënësit të degës nga kryetari i saj, Sadri Ferati. Kjo kishte ngjallur reagime të ashpra dhe mospajtime nga elektorati. Nën rrezikun e dëmtimit dhe mbështetjes eventuale, ai është rehatuar në kabinetin qeveritar.

“Paralelisht me Pecin, Mustafa ka ofruar si këshilltar të vetin Kujtim Isën, anëtar i kryesisë së degës nga pozita e kryetarit të forumit rinor të LDK-së në Mitrovicë”, tha burimi i Gazetës Fjala.  Kjo është bërë qëllimshëm për ta pasur nën kontroll, duke ditur ndikimin e tij, sidomos tek të rinjtë. Kjo, pasi Isa ishte i rehatuar në pozitën e Drejtorit për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Mitrovicës.

Nuk mungojnë as joshjet për anëtarët tjerë për pozita zëvendësministrash e këshilltarësh. “Qëllimi është që t’i rehatojë dhe ata të mos votojnë delegimin e Osmanit në kongres”, tha burimi brenda LDK-së për Gazetën Fjala.

Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa i ndanë rrugët ideologjikisht kur ky i fundit vendosi të bëjë koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit.

Osmani kishte dalë kategorikisht kundër dhe me një grup të deputetëve, kryesisht të rinj dhe nga më të votuarit nuk e kishin votuar kabinetin qeveritar në Kuvendin e Kosovës.

Kjo kishte frustruar Kryeministri Mustafa, i cili disa minuta pasi u zgjodh, nga foltorja e kuvendit ua kishte bërë të qartë se nuk do t’ua falte atë veprim. Paralajmërimi kishte nisur të konkretizohej me rastin e shënimit të 25 vjetorit të themelimit të LDK-së, teksa paralajmëronte ndryshime pas zgjedhjeve në parti.

“Me kryesinë dhe kryetar të degëve të LDK-së, kemi vlerësuar se ky do të jetë një proces nga i cili LDK-ja do të del e fortë, e freskuar me të ri dhe të reja me lidership që do të sfidohet me qeverisjen e ardhshme, me njerëz që i qëndrojnë besnik pranë gjitha vlerave dhe interesave të LDK-së, të cilët i respektojnë dhe zbatojnë vendimet e LDK-së”, kishte paralajmëruar Mustafa.

Osmani, para këtyre përplasjeve ishte cilësuar si kandidatja kryesore për pasimin e Mustafës në udhëheqjen e LDK-së. Por, tashmë duket se ato kohë kanë përfunduar.

Gazeta Fjala ka provuar të shtunën të marr një prononcim në lidhje me këto prapaskena të mundshme edhe nga deputetja Osmani, por ajo nuk është përgjigjur përmes telefonit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/prapaskenat-e-isa-mustafes-per-shkaterrimin-politik-te-vjosa-osmanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala