Praga e “okupuar” nga biznese pronarë kosovar [Foto]

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëse e vizitoni Pragën e bukur, doemos do t’iu bije në sy dyqane të shumta artizanale të produkteve të arit e argjendit në pjesët më turistike të qytetit.

Dhe besoni apo jo, këto argjendari, shumica janë me pronarë shqiptarë. Ato janë hapur rreth viteve 90-ta nga shqiptarë të Kosovës që po e bënin punën e njëjtë në Kroaci. Shumë prej tyre ishin punues të filigranit.

Ishte fillimi i luftës në Jugosllavi që i shtyri këta zejtarë të kërkojnë tregje të reja dhe kështu përfunduan në Republikën Çeke.

Në rrugën e njohur “Karllova” gjenden dhjetëra dyqane të tilla. Ato janë biznese familjare, ku shumica e punëtorëve janë vet pronarët. Ata punojnë nga mëngjesi deri afër mesnatës.

Shumica e tyre janë me prejardhje nga Prizreni e Peja.

Luigj Tomiqi me origjinë nga Prizreni tregon se ishte viti 1993 kur familja e tij erdhi në Pragë.

“Kur kemi ardh kanë qenë 7,8 dyqane të shqiptarëve. Viteve të 90-ta kemi punuar në Kroaci por atje filloi kriza dhe ne u njoftuam nga një mik i familjes që në Çeki ka më shumë punë”, tregon Tomiqi që, bashkë me 5 vëllezërit e tij, merren me këtë profesion.

Ata kanë dy dyqane në Çeki dhe një në Sllovaki. Të bërit biznes në Çeki, Luigji thotë që ka qenë shumë e lehtë.

“Njerëzit janë shumë të butë dhe kanë kulturë të lartë. Kurrë s’kemi pas ndërhyrje sa i përket financave ose vështirësi tjera. Jemi rehat”, thotë ai.

Shumica e shqiptarëve janë të besimit katolik por nuk mungojnë edhe myslimanët.

Muhamet Mulla me origjinë nga Peja është njëri prej tyre. Ai bashkë me familjen e tij, shkon në festat e komuniteti katolik.

Familja e tij kanë ardhur këtu në vitin 1994. Qe 18 vjet, ai vazhdon të merret me këtë profesion.

“Vëllai ka punuar në Kroaci si Ciceron dhe, kur plasi lufta atje, erdhi me punë në Pragë. Më ftoi edhe mua dhe, që atëherë hapëm dyqanin dhe po vazhdojmë kështu”, vazhdon rrëfimin Mulla.

Për popullin çekë ai ka fjalët më të mira. Thotë që janë të butë dhe kurrë nuk iu kanë shkaktuar telashe. Edhe pse, sipas tij, imazhi i shqiptarëve atje le mjaft për të dëshiruar.

“Në fillim iu thoshim se jemi Italian. Pastaj doli një lajm se ari Italian nuk ishte i mirë dhe iu thoshim se jemi kroat. Kroacia ju pëlqen dhe aty ndaheshim mirë. Nëse ju prezantoheshim si shqiptarë, nuk ishte ide e mirë atëkohë”, thotë ai.

Ka shumë familje nga Peja që merren me këtë zeje. Mulla i numëroi familjet si Sahatçiu, Kasapolli, Tabaku e Kastrati.

“Ne e thirrëm njëri tjetrin. Në atë periudhë Çekia sapo kishte dal nga komunizmi. Gjithçka niste nga fillimi dhe megjithëse ka profesionist të mëdhenj të kësaj fushe në këtë shtet, ne prapë gjetëm tregun tonë”, tregon Mulla.

Është interesante se Praga ka shumë turistë që blejnë stoli, por edhe banorët janë mjaft të interesuar për to.

-Ne e shesim një gurë të njohur që quhet Granata dhe nxirret në Çeki. Dhe interesimi nuk mungon. Ky treg është mjaft i madh. Këtij populli i pëlqen ari. Andej nga qyteti i Brno-s edhe më shumë ka shitje, në Sllovaki e Ukrainë edhe më shumë, rrëfen me një theks pejan Mulla.

Argjendaritë nuk janë bizneset e vetme të shqiptarëve në kryeqytetin e Republikës Çeke. Këtu mund të gjeni dhjetëra piceri e restorante të pronarëve shqiptarë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/praga-e-okupuar-nga-pronaret-kosovar-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala