Pozitë e Opozitë kundërshtojnë zgjedhjen e Thaçit për president

Autori:Gazeta Fjala

Pas deklaratave të shumta kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës njëherit zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaç është shprehur i bindur se nuk ka pengesa për votimin e tijë si President i Kosovës.

Për një gjë të tillë përfaqësues të opozitës kundërshtojnë fuqishëm këtë gjë duke thënë se ai nuk do të ishte një president konsensual dhe një president i pranuar nga të gjithë.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti në një prononcim dhënë portalit Arbresh.info ka thënë se Hashim Thaçi  nuk po lë gur pa lëvizur për t’u bërë president madje sipas saj edhe në kohën kur vetë Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar shkeljet e Kushtetutës, ai brengoset thjesht dhe vetëm për veten e tij.

“Hashim Thaçi është njeriu më i papërshtatshëm për të qenë president. Gjithë biografia e tij politike karakterizohet nga pazaret politike në dëm të interesave të vendit. Ai nuk mund të jetë garant i unitetit të popullit.  Hashim Thaçin askush nga qytetarët nuk e sheh si figurë që mund t’i tejkalojë interesat personale e klanore për të qenë në lartësinë e detyrës që i kërkohet një presidenti”, është shprehur ajo duke shtuar se LVV nuk do të marr pjesë fare në seancë atë ditë kur do të votohet për president.

“Ne kurrsesi nuk do të marrim pjesë në seancë, sepse duke bërë kështu do ta mundësonim kuorumin e nevojshëm. Përkundrazi, ne do ta kundërshtojmë me çdo kusht zgjedhjen e tij. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo Qeveri nuk ka kurrfarë legjitimiteti as kredibiliteti për të qeverisur me vendin. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, do të shohim pastaj nëse populli do të përcaktohet për “Zajednicën“, pra PDLK-në, apo për Kosovën sovrane. Zgjedhjet e reja parlamentare janë rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë“, ka theksuar Dërguti..

Edhe deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj  ka thënë se nuk e di nëse do të realizohet një gjë e tillë pasi që sipas saj shumë nga deputetët e koalicionit qeverisës PDK-LDK nuk do ta votojnë.

“Ata persona dhe ata deputetë që nuk do ta votojnë Thaçin për President të Republikës së Kosovës është mirë të mos jenë prezent fare në sallën e Kuvendit në momentin që Thaçi do të zgjidhej President. Me gjithë këtë situatë politike unë nuk mendoj që Thaç është një president konsensual, një president i pranuar nga të gjithë ndërsa në vazhdim këto kanë qenë premtime të dy subjekteve politike dhe premtim i lidhjes së koalicionit mes tyre të cilët i kanë ndarë pushtet dhe  po vazhdojnë ta mbajnë pushtetin dhunshëm sepse për momentin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese këta kanë shkelur Kushtetutën e Rep. së Kosovës, janë një Qeveri jokushtetuese dhe në fakt këta është dashur të dorëhiqen”, ka thënë ajo për Arbresh.info.

Mirëpo nuk është vetëm Opozita ajo që e kundërshton fuqishëm zgjedhjen e Thaçit për president pasi që ka deputet të dy partive që janë ën koalicion të cilët nuk pajtohen për një gjë të tillë.

Adem Salihaj nga partija e LDK-së ka thënë se kandidatura e Thaçit për president nuk është kandidatura e duhur dhe se ai nuk do ta votojë.

“Zgjedhja e tij eventuale do t’u bënte dëme të shumëfishta Kosovës. Kjo është arsyeja që une,në asnjë rrethanë nuk do ta votoj Thaçin për president. Kosova ka shumë figura të tjera, të cilat do të kontribuonin për një unitet dhe për një përfaqësim të denjë të Kosovës para bashkisë ndërkombëtare dhe vendeve të ndryshme”, ka thënë ai për portalin Arbresh.info.

Ndërsa deputeti Nait Hasani nga PDK-ja ka thënë se ende nuk ka gjë zyrtare për këtë.

“Mua askush ende nuk ma ka kërkuar voten për president prandaj ende është çështje e mbyllur. Nuk kemi asgjë zyrtarisht prandaj edhe deklaratat janë politike”, ka theksuar ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pozite-e-opozite-kundershtojne-zgjedhjen-e-thacit-per-president/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala