Pozita bllokon ‘AKP’-n

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy partitë më të mëdha të koalicionit, PDK dhe LDK nuk po mund të merren vesh për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Burime të ORAinfo bëjnë të ditur se PDK po insiston që kryesuesi i Bordit të vije nga propozimi i kësaj partie, përderisa të njëjtën gjë po e kërkon edhe partia e Isa Mustafës, LDK.

“PDK dhe LDK janë marrë vesh që të dërgojnë nga një anëtarë të vetin në Bordin e AKP-së, por problemi qëndron te emërimi i kryesuesit të Bordit të cilin kanë këmbëngulur që të kenë të vetin si PDK-ja ashtu edhe LDK-ja”, ka thënë burimi.

Në anën tjetër, në qeveri nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë çështje.

Zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi nuk ka dashur të përgjigjet se pse po zvarritet kompletimi i Bordit të kësaj agjencie.

Kryeministri Isa Mustafa më herët kishte premtuar se gjatë muajit të prill do të kompletohej Bordi i AKP-së.

Ndërkaq, mungesa e funksionimit të këtij Bordi që nga muaji gusht i vitit të kaluar, ka bërë që rreth 30 mijë ish punëtorët e Ndërmarrjeve shoqërore të mos mund të gëzojnë drejtën e marrjes së 20 për qindëshit nga shitja e ndërmarrjeve.

Përveç kësaj AKP nuk ka mund të marrë vendime as për shpërndarjen e mjeteve nga likuidimi i ndërmarrjeve.

Në AKP thonë se i kanë njoftuar me kohë institucionet vendimmarrëse për kompletimin e Bordit dhe të njëjtave u kanë bërë thirrje që në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të bëhen emërimet e drejtorëve të Bordit në mënyrë që të ushtrojnë mandatin e plotë ligjor. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pozita-bllokon-akp-n/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala