“Poltroni i Millosheviçit në Hagë nuk ka vend për një lider shqiptar, cilido qoftë ai”

Autori:Avdyl Pajaziti

Analisti Skënder Minxhozi, miratimin e ndryshimit të amendamenteve kushtetuese nga ana a Kuvendit të Kosovës që çojnë drejt themelimit të Gjykatës Speciale, e ka vlerësuar si një film të kthyer mbrapsht.

Sipas Minxhozit, tani që Gjykata Speciale mori votat e institucionit më të lartë të shtetit të Kosovës, pritet vetëm përmbushja e detajeve logjistike, para se të shohim të akuzuarit e parë në Holandën e largët.

“Duket si një film i rikthyer mbrapsht, por me aktorë të tjerë. Lufta në Kosovë dhe pasojat që ajo la pas, do të jenë me shumë gjasë objekti i hetimit dhe gjykimit të Gjykatës Speciale të sapomiratuar, e cila do të presë në Hagë, me shumë gjasë, disa prej figurave me peshë në politikën kosovare. Tani që kjo trupë gjykimi mori votat e institucionit më të lartë të shtetit të Kosovës, pritet vetëm përmbushja e detajeve logjistike, para se të shohim të akuzuarit e parë në Holandën e largët. Të cilët, përkundër kundërshtarëve të tyre serbë kroatë e boshnjakë të dikurshëm, tashmë do të jenë shqiptarë”, ka shkruar Minxhozi.

Ja shkrimi i plotë i Minxhozit:

Duket si një film i rikthyer mbrapsht, por me aktorë të tjerë. Lufta në Kosovë dhe pasojat që ajo la pas, do të jenë me shumë gjasë objekti i hetimit dhe gjykimit të Gjykatës Speciale të sapomiratuar, e cila do të presë në Hagë, me shumë gjasë, disa prej figurave me peshë në politikën kosovare.

Tani që kjo trupë gjykimi mori votat e institucionit më të lartë të shtetit të Kosovës, pritet vetëm përmbushja e detajeve logjistike, para se të shohim të akuzuarit e parë në Holandën e largët. Të cilët, përkundër kundërshtarëve të tyre serbë kroatë e boshnjakë të dikurshëm, tashmë do të jenë shqiptarë.

Ka pasur shumë debate në Kosovë e jashtë saj, rreth arsyeve të kësaj “drejtësie” të vonuar që po kërkohet të vihet. Motivet janë kërkuar sa tek lojërat e mëdha gjeopolitike (që nisin me raportin e Dick Martit e përfundojnë me orekset e Rusinë), aq edhe tek shkelja e syrit dhe kompeksi i pashërueshëm i Perëndimit ndaj Serbisë, në kuadrin e afrimit të saj në BE dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën. Gatishmëria e shprehur nga qeveria serbe dje, për të ndihmuar me fakte e dosje Gjykatën Speciale që po ngrihet, e zbulon qartë kënaqësinë e Beogradit për këtë ndëshkim të vonuar, e pse jo të pamerituar, të palës kosovare, në lidhje me një konflikt që tashmë i ka evidentuar fajtorët dhe përgjegjësit e tij.

Ndërtimi në këtë mënyrë i Gjykatës Speciale rikthen dilemën e tmerrshme të njehësimit të viktimës dhe xhelatit.

Kosova doli nga lufta me një bilanc tragjik jetësh njerëzore dhe dëmesh materiale.

Gjenocidi dhe spastrimi etnik nuk ka qenë kurrë atribut i kosovarëve, por vetëm i palës tjetër, e cila nuk dogji e shkretoi vetëm Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Rihapja e kësaj dosje sot, me një bankë akuze në Hagë, po rrezikon të ribëjë në mënyrë të shëmtuar historinë. Poltroni i Millosheviçit në Hagë nuk ka vend për një lider shqiptar, cilido qoftë ai. Edhe vetë demarshi tingëllon i padrejtë dhe hileqar. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/poltroni-i-milloshevicit-ne-hage-nuk-ka-vend-per-nje-lider-shqiptar-cilido-qofte-ai/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala