Policia zotohet për bashkëpunim më të avancuar me bizneset

Autori:Avdyl Pajaziti

Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës në nivel lokal dhe qendror me sektorin privat hap rrugën drejt një ambienti më të mirë dhe më të sigurtë të të bërit biznes në vend. Kjo u tha sot në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin.

Në hapje të tryezës, Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se në kuadër të përpjekjeve të Odës Amerikane për të çuar dialogun midis sektorit privat dhe publik në një nivel të ri dhe më të avancuar, bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me Policinë e Kosovës ka një rëndësi të veçantë.

“Në Shtete të Bashkuara të Amerikës, bizneset dhe institucionet kyçe të sigurisë publike e kanë të strukturuar dialogun e vazhdueshëm përmes këshilleve të ndryshme, me qëllim të kontribuimit drejt një ambienti më të sigurtë për të bërë biznes, dhe për komunitetin në përgjithësi”, ka thënë Zeka.

Drejtori i Përgjithshëm i Policise Shpend Maxhuni, tha se mirëpret një dialog më të rregullt dhe më konstruktiv me komunitetin e biznesit si një pjesë kyçe e shoqërisë kosovare.

Në këtë drejtim, Maxhuni elaboroi mbi funksionimin e këshillave ekzistues që funksionojnë nëpër komuna që kanë për rol diskutimin e çështjeve të ndryshme mbi sigurinë publike. Sa i përket mbrojtjes nga sulmet kibernetike, ai sqaroi edhe funskionimin e Drejtorisë së Kibernetikës në kuadër të Policisë së Kosovës, duke potencuar sukseset e konsiderueshme të kësaj drejtorie përkundër kapaciteteve të limituara.

Ndërsa bizneset patën rastin të diskutojnë mbi probleme ditore me të cilat ballafaqohen sa i përket këtij institucioni, e në veçanti mbi problemet që dalin nga mungesa e vendeve për ndalje të automjeteve për shitje ambulantive.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-zotohet-per-bashkepunim-me-te-avancuar-me-bizneset/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala