Policia: Vetëvendosje po krijon opinion negativ për Policinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur në komunikata nga lëvizja Vetëvendosje.

Policia thekson se fjalitë e tilla të VV-së “me këto arrestime policia është vënë në mbrojtje të një Qeverie antikushtetuese, ajo po mbron një pushtet jolegjitim dhe të rebeluar kundër Republikës”, kanë për qëllim krijimin e një opinioni të ndryshëm nga ai çfarë e karakterizon Policinë e Republikës së Kosovës.

Lexoni të plotë, reagimin e Policisë së Kosovës:

“Policia e Kosovës, duke iu referuar shkrimeve dhe kumtesave të ndryshme nëpër media të publikuara nga lëvizja “Vetëvendosje”, e në veçanti kumtesës së lëshuar sot (15.1.2016) lidhur me arrestimin e (Artan A.), nga ky subjekt, ku për Policinë e Kosovës thuhet: ”me këto arrestime policia është vënë në mbrojtje të një Qeverie antikushtetuese, ajo po mbron një pushtet jolegjitim dhe të rebeluar kundër Republikës”, reagon fuqishëm dhe sqaron opinionin e gjerë se kumtesa apo deklarime të tilla të vazhdueshme nga ky subjekt kanë për qëllim krijimin e një opinioni të ndryshëm nga ai çfarë e karakterizon Policinë e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu duam të sqarojmë që në rastin e potencuar në kumtesë të “Vetëvendosjes”, për të akuzuarin e përmendur të gjitha vendimet ligjore nga organet kompetente të drejtësisë janë zbatuar gjatë realizimit të rastit apo sjelljes së personit të dyshuar para organeve kompetente sipas procedurave që i parasheh ligji.

Pra, ju informojmë se për të akuzuarin e njëjtë ka pasur urdhëresë nga gjykata kompetente për sjelljen e tij për shkak të veprës penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” të sanksionuar sipas nenit 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së), lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, të sanksionuar sipas nenit 410 paragrafi 2 të KPRK-së.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit garanton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se përveç detyrave dhe përgjegjësive që ka në mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës dhe zbatimit të ligjeve të aplikueshme, jemi në funksion aktiv të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, garantimit të lëvizjes së lirë, mbrojtjes së jetës së qytetarëve pa dallim dhe mbrojtjen e pronës”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-vetevendosje-po-krijon-opinion-negativ-per-policine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala