Policia: Rezistencë e dhunshme brenda selisë së Vetëvendosjes

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hasur në rezistëncë brenda selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në tentim për të arrestuar deputetin Albin Kurti.
Përmes një komunikate për media, policia ka arsyetuar hyrjen në selinë e këtij subjekti, duke thënë se ka vepruar bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjor.
“Referuar zhvillimeve dhe lëvizjes së disa personave, duke përfshirë edhe personin e kërkuar me Urdhër Arrest drejt selis së subjektit politik Vetëvendosje, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarr masat e nevojshme ligjore për sigurimin e lokacionit dhe ndalimit të personave të kërkuar,” thuhet në komunikatën e policisë.
“Njësitet relevante policore pas intervenimit brenda në objekt kanë hasur në rezistencë të disa personave të dhunshëm të cilët kanë qenë brenda në objekt, e të cilët kanë hedhur mjete të ndryshme të forta drejt zyrtarëve policor, duke përfshirë shkopinj, karrige, tavolina, mjete të metalta dhe sprej, ku si pasojë e saj dy polic dhe dy persona tjerë kanë pësuar lëndime,” sqaron komunikata.
Sipas policisë, deri më tani janë shoqëruar në polici 87 persona.