Policia po i kërkon Deputetët

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e deputetëve të opozitës për t’i arrestuar për hedhjen e gazit kotsjellës në Kuvend ditëve të fundit.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani ka treguar përmes telefonit për Top Channel se aktualisht policia është duke i kërkuar deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët akuzohen nga Prokuroria për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe posedim të armëve.

Kelani tha se fletarrestet për deputetët e kërkuar janë aktive dhe policia do t’i zbatojë derisa t’i takojë këta deputetë për t’i shoqëruar në Prokurori, ashtu siç parashihet në fletarrestet e lëshuara  nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë nuk ka dashur të tregojë nëse policia ka informacione për vendndodhjen e deputetëve të kërkuar, por ka sqaruar se në momentin që policia bie në kontakt me ta, do t’i shoqërojë për në Prokurori.

Përveç deputetëve të kërkuar sipas fletarresteve, Kelani tha se policia është në fazën e hetimeve edhe për veprat penale të shkaktuara nga persona të tjerë në përleshjet e fundit me Policinë dhe me qytetarë nëpër kryeqytet.

I pyetur për manifestimin protestues të opozitës të ftuar më 28 nëntor, zëdhënësi i policisë tha se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për këtë aktivitet të opozitës, por që siç tha Kelani, policia do jetë e përgatitur për të ofruar siguri dhe për të menaxhuar me situatën e çfarëdo natyre që mund të paraqitet.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-po-i-kerkon-deputetet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala