Policia nis hetimet për incidentet e sotme në Kuvend

Burime të Indeksonline thonë se në lidhje me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës kanë nisur hetimet nga ana e Policisë së Kosovës, ku si pasojë e shpërndarjes së gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë pësuan lëndime dy deputetet e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu.
Gjatë pranimit të këtyre dy deputeteve në Qendrën e Mjekësisë së Përgjithshme në Prishtinë, prezent kanë qenë edhe njësitet hetuese nga Policia e Kosovës, raporton Indeksonline.
Për Indeksonline prezencën e hetuesisë gjatë pranimit të deputeteve e ka konfirmuar edhe mjeku në Qendrën e Mjekësisë së Përgjithshme në Prishtinë, Abdyl Pacolli.
“Po hetuesia ka qenë prezenete gjatë pranimit të deputetes Deliu dhe Brovina. Ka qenë policia e stacionit të katërt, të cilën e ka kryesuar një toger ose rreshter”, ka thënë Pacolli.