Policia ngrit kallëzim penal ndaj drejtorit të ATK-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Krimeve Ekonomike ka ngritur kallëzim penal ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Nahit Sharku. Lajmin për Gazetën Blic e kanë konfirmuar burime brenda Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, policia e Kosovës përmes këtij kallëzimi penal pretendon që Nahit Sharku së bashku me ish- drejtorin, Behxhet Halitin dhe Ilir Islamin, drejtor i departamentit ligjor, ia kanë falur një borxh prej qindra mijëra eurosh kompanisë Dajti SHPK.

“Nait Sharku së bashku me Ilir Islamin ia kanë falur një borxh kompanisë Dajti SHPK, duke e dëmtuar buxhetin qindra- mijëra eurosh”, ka thënë ky burim për Gazetën Blic.

Sipas këtyre burimeve, kallëzimi penal është ngritur para disa javësh nga ana e Policisë së Kosovës, dhe tani rastin e ka prokuroria.

Mirëpo, zyrtarisht as nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria nuk kanë dhënë detaje rreth këtij rasti.

Në anën tjetër, Gazeta Blic ka provuar që të flas me shefin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahitin, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndryshe, Nahit Sharku është njeri i preferuar i ministrit të Financave, Avdullah Hoti. Gazeta Blic para disa ditësh ka raportuar se pavarësisht që tash e sa kohë është përmbyllur konkursi për drejtor të ATK-së, edhe më tutje vazhdon kjo pozitë të jetë me ushtrues detyre.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka hezituar që ta emëroj Sharkun në këtë pozitë, për shkak se është nën hetime.

Me të ardhë në krye të Ministrisë së Financave, Avdullah Hoti së bashku me Sharkun kanë bërë ndryshime të shumta në Administratën Tatimore të Kosovës. Këto veprime të Hotit dhe Sharkut kishin nxitur reagime të ashpra të njerëzve të PDK-së.

Mirëpo, deri më tani U.D. i drejtorit të ATK-së nuk i ka respektuar as vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, i cili ka kërkuar që zyrtarët e larguar nga ai dhe të transferuar në pozita të tjera, të rikthehen aty ku ishin./ Gazeta Blic

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-ngrit-kallezim-penal-ndaj-drejtorit-te-atk-se-ja-sa-e-demtoi-sharku-buxhetin-e-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala