Policia nderon heroin e Kosovës Enver Zymeri

Policia e Kosovës sot ka organizuar ceremoni përkujtimore për përvjetorin e katërt te rënies së Heroit të Kosovës Enver Zymeri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kanë bërë homazhe dhe vunë kurora me lule tek lapidari i heroit në kompleksin e Drejtorisë së përgjithshëm të policisë në Prishtinë.
Pas përfundimit të vendosjes së kurorave me lule tek lapidari, ministri Hyseni dhe drejtori Maxhuni kanë vazhduar drejt vendlindjes së Heroit Zymeri në fshatin Dubovc të Vushtrrisë, ku fillimisht do të bëhen homazhe tek varri i tij dhe më pastaj do të vizitohet edhe familja e Heroit, transmeton kp.
Ndryshe, heroi Zymeri polic i Njësisë Speciale kishte rënë më 25 korrik 2011 në veri në aksionin për shtrirjen e sovranitetit edhe në atë pjesë. Vepra e tij është vlerësuar lartë, duke i cilësuar si momenti kyç në kthimin e integritetit territorial në gjithë territorin e Kosovës.