Policia maqedonase kontrrollon fshatrat shqiptare

Autori:Avdyl Pajaziti

Forca të shumta policore maqedonase janë futur sot në fshatin e banuar me shqiptarë në Malinë të Shkupit.

Banorët e këtij fshati i thanë nëpërmjet telefonit televizionit publik se qindra policë të armatosur janë futur mëngjesin e sotëm në këtë zonë dhe po kontrollojnë shtëpitë, kurse mbi fshat po fluturojnë helikopterë të policisë maqedonase.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, i cili ka njoftuar se aksioni i policisë po vazhdon edhe në këto orë të pasdites.

Autoritetet policore nuk kanë bërë të ditur qëllimin e këtij aksioni. Malina ndodhet në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë.

“Jemi të rrethuar nga forcat policore. Janë futur nëpër oborret e shtëpive të fshatit i gjithë fshati është përplot me transporterë policorë, kurse po i vërejmë edhe në malet përreth“.

Ndërkaq, gazeta “Koha” nëpërmjet telefonit kontaktoi me kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit Malinë, Veli Saliun, i cili e konfirmoi gjendjen kaotike që është shkaktuar me prezencën e madhe të forcave policore dhe ushtarake.

“Nga ora 3 e mëngjesit kanë ardhur rreth 500 policë dhe policë kufitare, dhe pa asnjë arsyetim, kanë filluar të kontrollojnë shtëpi për shtëpi. Me mjete të rënda artilerie, me helikopterë, autoblinda po qëndrojnë në fshat. Në oborrin e çdo shtëpie janë vendosur nga 10-15 policë të veshur me të zeza, njësite speciale dhe të armatosur deri në fyt”, ankohet Saliu.

Ai thotë se në mesin e këtij grupi të madh të policëve ka vetëm tre-katër shqiptarë. “Këtu në fshat janë afër 500, por me siguri në mal janë më tepër. Deri tani i kanë bastisur disa shtëpi, në të cilat nuk ka banuar askush. Si duket, deri në darkë do të mbesim të bllokuar në fshat. Presion të madh na kanë krijuar”, u shpreh Saliu.

Gazeta “Lajm” ka arritur të kontaktojë me disa banorë të fshatit Malinë, të cilët e kanë përshkruar situatën momentale në këtë fshat.

“Jemi të rrethuar nga forcat policore. Janë futur nëpër oborret e shtëpive të fshatit i gjithë fshati është përplot me transporterë policorë, kurse po i vërejmë edhe në malet përreth. “, deklaroi për “Lajm” banorja e këtij fshati, Ganimete Saliu.

Ajo thotë se deri tani nuk janë dëgjuar të shtëna armësh e as shkëmbim zjarri. Mirëpo frika te banorët është evidente.

“Policët janë të armatosur deri në dhëmbë. Helikopterët fluturojnë pandërprerë. Më së tepërmi po frikohen fëmijët, mirëpo frika është prezente edhe te banorët tjerë”, shton ajo.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-maqedonase-kontrrollon-fshatrat-shqiptare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala