Policia letër protestuesve

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës u ka shpërndarë sot protestuesve nga Mitrovica një letër me porosi për të drejtat dhe obligimet e tyre gjatë protestës.

Letrat u janë shpërndarë protestuesve në Milloshevë, gjatë udhëtimit të tyre me autobusë drejt Prishtinës.

Në këtë letër policia u rikujton protestuesve se është e obliguar që të veprojë në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe me ligjin për tubime publike dhe se shpreson që protesta e sotme të jetë e qetë dhe paqësore.

Por policia i ka porositur qytetarët edhe në rast se protesta eskalon.

“Të gjithë ju duhet të jeni në dijeni se policia nuk do të tolerojë të kryhen akte të kundërligjshme, të dhunshme ose shkatërruese dhe se individët që kryejnë akte të tilla do të përballen me ligjin”, thuhet në letrën e policisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, konfirmoi për KALLXO.com shpërndarjen e letrave për protestuesit.

“Është diçka normale që ka për qëllim mbarëvajtjen e protestës”, tha zëdhënësi Kelani.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-leter-protestuesve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala