Policia e Kosovës shpjegon përse u arrestua Muhamet Kelmendi

Policia e Kosovës ka sqaruar për opinionin arrestimin e anëtarit të kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muhamet Kelmendi.
Policia konfirmoi që gjatë ditës së sotme në orët e pasdites ka ndaluar pesë persona në mesin e tyre edhe Muhamet Kelmendin si dëshmitar lidhur me rastin të cilin PK po e heton.
“Njëri ndër të ndaluarit është edhe z.Kelmendi, i cili është shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit në rastin konkret. Personat e ndaluar janë shoqëruar për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, sqaron policia e Kosovës.
Të pesë personat janë ndaluar nga policia e Kosovës dhe të njëjtit po intervistohen.
Ndërsa sipas PK-së informacioni i publikuar në disa media se urdhërdhënësi i arrestimit është Ministri i Punëve të Brendshme nuk qëndron.
“Ashtu siç është e njohur ligjërisht Policia e Kosovës ndërmerr të gjitha veprimet e saja konform autorizimeve ligjore që ka dhe në koordinim me Prokurorin kompetent, njëjtë siç është vepruar edhe në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Sot me 10.06.2015 në orët e pasdites, Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante në qytetin e Mitrovicës sipas detyrave dhe autorizimeve zyrtare ka ndaluar pesë (5) persona.