Policia e Kosovës arreston Shpresim Ukën

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot para dite njësitet speciale të forcave të rendit kanë kryer një operacion në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, me ç’rast ka arrestuar një person, i cili ka qënë për një kohë në kërkim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha duke mos dashur të japë më shumë detaje,  tha se i arrestuari “ka qenë një person në kërkim nga ana e policisë dhe i njëjti është arrestuar për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore.

Jozyrtarisht, Radio Evropa e Lirë merr vesh se bëhet fjalë për Shpresim Ukën.

Ai është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë në rastin e njohur “Bllaca” dhe është dënuar me 15 vjet burgim në vitin 2012.

Emri i zotit Uka gjendet edhe në faqen e Interpolit, të personave në kërkim, për të vuajtur dënimin.

Shpresim Uka është përmendur fillimisht në një video-incizim të Nazim Bllacës, i cili në nëntor të vitit 2009, deklaroi publikisht se ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime dhe veprime kriminale në rreth 17 raste pas luftës në Kosovë.

Bllaca e pati identifikuar veten si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, ndërsa pati akuzuar për përfshirje në krime struktura të larta politike në vend.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-e-kosoves-arreston-shpresim-uken/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala