Policia bastis zyret e vv-së, kërkon Albin Kurtin

Autori:Avdyl Pajaziti

Sipas një kumtese të Lëvizjes Vetëvendosje, sot rreth orës 18:00, Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të VV-së.

“Policia e Kosovës, përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës në Kuvend.

Ky presion ndodh pikërisht pas dorëzimit të padisë për Armend Zemajn, i cili ka shprehur publikisht qëllimin e tij për të goditur me gotë të qelqtë deputetët e VETËVENDOSJE!-s dhe për t’i dëmtuar fizikisht ata ndërkohë që Policia asnjë veprim nuk e mori ndaj tij.

Këto ndodhi të papranueshme vijnë menjëherë pasi që Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit. Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me ambasadorët e Kuintit për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës. Ish-kryetari i SHIK-ut u përpoq për disa ditë të përdorë maskën demokratike e paqësore, por tashmë përballë vendosmërisë së opozitës, Veseli po e shfaq sërish fytyrën e tij të vërtetë, atë të vjetrën!

Pas thirrjes dhe presionit publik që ditët e fundit kryeministri Mustafa ia ka bërë policisë dhe gjyqësorit që të angazhohen kundër aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës, këta institucione janë vënë krejtësisht në shërbim të pushtetit.

Mustafa, i cili veten e vet e ka vënë krejtësisht në shërbim e në mbrojtje të Zajednicës, tashmë po e vendos edhe Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Sistemin Gjyqësor po ashtu në mbrojtje të projektit më të dëmshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Por çdo përpjekje e tillë do të dështojë. “Zajednica” nuk do të kalojë!

Ne ia bëjmë të qartë Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit se veprimet e tilla si dhe kërcënimet për arrestimin e deputetëve Albin Kurti dhe Albulan Haxhiu do ta tensionojnë edhe më shumë situatën dhe përgjegjësia për këtë i mbetet vetëm pushtetit” (sic.),

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policia-bastis-zyret-e-vv-se-kerkon-albin-kurtin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala