Policët serbë të veriut të Kosovës me tri paga: një nga Prishtina, një nga Beogradi, dhe një nga krimi i organizuar

Autori:Avdyl Pajaziti

Inspektorati policor i Kosovës (IPK) në Prishtinë, është i pa fuqishëm që të përballet me policët e korruptuar të cilët janë duke bashkëpunuar me kriminelë dhe kontrabandistë në Veri.

“Mirëdita zotëri, nuk po të punon shenjëzimi, dënimi është 25 euro si dhe dritat e makinës nuk i ke ndezur”.

Kështu fillon biseda e policëve të Kosovës me drejtuesit e makinave në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, por që përfundon me një mitmarrje prej 10 euro, nëse nuk dëshiron që të të shkruhet dënimin, por që ky është një krim dhe korrupsion më i imët.

Në Veriun e Kosovës, që nga koha kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit për integrimin e ish-punonjësve të Policisë së Serbisë (mupovcave), në radhët e policisë së Kosovës në sipërfaqe ka dalë bashkëpunimi mes policëve dhe krimineleve ose reketimi klasik.

Burime të portalit tesheshi.com, të afërta me policinë e Kosovës të stacionit Veri  njoftojnë se për një maune me pije alkoolike që patrulla e policisë e përcjellë nga rrugët alternative që futet në Kosovë e deri në destinacion, policia për këtë punë merr 150 euro ryshfet, ndërsa për kamionë të ngarkuar me karburant merr nga 500-1000 euro.

“Në çdo stacion të policisë në veri të Kosovës, duke përfshirë këtu dhe ato të Mitrovicës veriore, Zubin Potokut, Zveçanin, Leposaviqit, si dhe policinë kufitare, ka nga 10-15 policë që janë të përfshirë në këtë zinxhir kriminal, dhe po ashtu këta policë marrin nga tri paga, një nga qeveria e Kosovës, një nga qeveria e Beogradit, si dhe nga kriminelët dhe kontrabandistët”, ka thënë burimi konfidencial.

Gjithashtu, sipas tij, ka policë të Kosovës të dalë në pension nga ana e shtetit serb, e që e marrin pensionin nga Beogradi rreth 400 euro, por që nga Kosova ata marrin dhe pagën policore nga 500-1100 euro, varësisht nga gradat dhe pozitat që kanë.

Paga tretë, informon burimi, u vjen nga krimi i organizuar. Ata paguhen për lehtësirat që iu kryejnë këtyre grupeve e që kontrabandojnë mallra nga Serbia në Kosovë.

“Dihet saktësisht kur merret secila pagë”, kanë thënë burimi i portalit tesheshi.com: “në çdo fillim  muaji, policët marrin pagën nga buxheti i Kosovës, nga Serbia marrin pensionet në dy data, me 10 dhe 25 të çdo muaji, ndërsa nga mesi i muajit dikush nga policët e korruptuar shkon në pikat e karburanteve dhe nga pronarët e tyre marrin reketin (ryshfetin) për çdo polic që në atë muaj ka pasur për detyre që të sigurojë kamionët me mallra të kontrabanduara që t’i ikin kapjes nga policët e tjerë si dhe nga doganierët, duke iu ikur kështu pagesave të doganës e duke dëmtuar rëndë buxhetin e Kosovës”.

Burimi më tej ka shtuar se inspektorati policor i Kosovës, në përgjithësi është i njoftuar për një nga 10 rastet e kontrabandimit që ndodhin, por policët që shfrytëzojnë uniformën e policisë së Kosovës kanë krijuar një pasuri të madhe dhe asnjëherë nuk janë pezulluar e as nuk janë larguar nga puna.

“Policët e korruptuar, të gjithë janë të lidhur në mes veti sikurse të ishin vëllezër të një nëne dhe, në rast kur inspektorët e IPK-së arrijnë në Veri për ndonjë kontroll apo për ndonjë rast të veçantë, të gjithë policët e korruptuar bashkohen duke akuzuar inspektorët e IPK-së se ju jeni kundër policëve të Veriut, se po dëshironi të hapni raste që janë të motivuara politikisht me të vetmin arsye se ne jemi serb”, ka thënë burimi i portalit tesheshi.com.

Ndër rastet që flasin me shifra se sa janë korruptuar policët e Veriut, është ai që ka ndodhur në Leposaviq kohë më parë, kur një shqiptari të Kosovës i është zënë një kamion me cigare dhe me banderola të Kosovës.

Personin e kanë zënë policia e kufirit në Leposaviq, e kanë ndaluar dhe e kanë futur në një rrugë malore, duke e kërcënuar që të japë rryshfet për t’u liruar ai dhe malli i tij./tesheshi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policet-serbe-te-veriut-te-kosoves-me-tri-paga-nje-nga-prishtina-nje-nga-beogradi-dhe-nje-nga-krimi-i-organizuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala