Policët pranojnë se i montuan revolën Sekiraqës

Autori:Avdyl Pajaziti

Shpend Qerimi, ish-polic, tanimë i dënuar me burgim afatgjatë për dy vepra penale, ishte dëshmitari I radhës në gjykimin që po zhvillohet në rastin e Enver Sekiraqës.

Prokurori Carney e pyeti Qerimin lidhur me rastin e arrestimit të Enver Sekiraqës në maj të vitit 2006 në Ferizaj.

Qerimi tha se Sekiraqës atë ditë maji i ishin gjetur para, dy fotografi, diktafonë për incizim zëri por jo edhe armë.

“Ka pasur armë, por nuk ka qenë e Sekiraqës, por ka qenë e fabrikuar nga një koleg i joni”, tha Qerimi.

Prokurori Carney e pyeti më pas se pse ishte vendosur kjo armë.

“Mendimi im është që policia ka përdorur pak forcë aty ndaj Enver Sekiraqës gjatë arrestimit dhe [armën e ka vendosur] për ta mbuluar forcën proporcionale, sepse sigurisht që forca arsyetohet nëse gjendet arma”, u përgjigj Qerimi.

Ai tha se Sekiraqa pas arrestimit kishte qenë i lënduar.

“Ka qenë në zyrë, ka qenë i lënduar në anën e djathtë apo të majtë të nofullës. E kemi dërguar në spital, i kemi dhënë ndihmën e parë në spital dhe raporti i mjekut ka thënë për ta dërguar në Prishtinë. E kemi dërguar në Prishtinë, pastaj çfarë kanë bërë hetimet regjionale nuk e di”, shpjegoi Qerimi.

Qerimi tha se disa nga policët e kishin kundërshtuar përshkrimin e lëndimeve që kishte bërë doktori dhe kishin kundërshtuar që ai të transferohej në Prishtinë.

“Ata kanë pasur me doktorin një mosmarrëveshje se pse po i shkruan këto lëndime për ta dërguar në Prishtinë. Ata nuk dëshironin ta dërgonin në Prishtinë”, tha Qerimi.

Ky dëshmitar deklaroi se Sekiraqa mendonte që revolen ia kishte montuar Triumf Riza, ndërsa sipas Shpend Qerimit kjo ishte njëra ndër arsyet e vrasjes së Rizës në vitin 2007.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, por edhe për detyrim dhe dhunim.

Qerimi në dëshminë e tij tha se Triumf Riza ishte një shembull se si duhej të ishte një polic.

“Ka qenë një njeri, një polic që nuk besoj që Kosova mund të ketë përsëri. Ka qenë njëri ndër policët që për mua ka qenë i pakorruptuar, ka qenë një polic që ka pasur zero tolerancë ndaj krimit, ka qenë një person shumë familjar, me prindërit i sjellshëm, me familje , me shokë, ai thjesht ka qenë emblemë e ShPK-së për të mirë”, tha Qerimi.

Prokurori Carney e pyeti dëshmitarin nëse Riza kishte problem me ndokënd sa ishte gjallë.

“Ai ka pasur problem me ata që e kanë shkelur ligjin dhe veçanërisht ka pasur problem me një person, e ai ishte Enver Sekiraqa,” tha Qerimi.

Qerimi do të vazhdojë të dëshmojë edhe në seancën e radhës në rastin Sekiraqa dhe do të merret në pyetje nga mbrojtja e Sekiraqës.

Qerimi dëshmoi gjatë vitit të kaluar edhe në rastin e shpërthimit te lokali Sekiraqa që ndodhi në vitin 2007, pas vrasjes së Triumf Rizës.

Në këtë shpërthim qenë vrarë dy persona dhe shumë të tjerë ishin plagosur, ndërsa për këtë rast është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në të cilin palë e dëmtuar është Enver Sekiraqa. /Kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/policet-pranojne-se-i-montuan-revolen-sekiraqes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala