Podujeva ndërton shtatë ura

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kuadër të investimeve kapitale në ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës, në qytet dhe pesë fshatra të Podujevës, Komuna e Podujevës sivjet do të ndërtojë shtatë ura mbi lumenj.

Këto ditë ka filluar ndërtimi i urës mbi lumin Llap në Podujevë, te Stacioni i Autobusëve, e cila lidh lagjen e “Blakçorëve” me qendrën e qytetit.

Ndërtimi i kësaj ure është vetëm njëra nga shtatë urat që do të ndërtohen sivjet nga buxheti i Komunës në qytet dhe fshatrat e Podujevës.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se krahas urës në qytet, javën që vjen do të fillojë ndërtimi edhe i tri urave, dy në fshatin Zhiti dhe një në Repë.

“Përveç këtyre katër urave, së shpejti do të fillojnë punët edhe në ndërtimin edhe të tri urave të tjera mbi lumin Llap, në Gllamnik, Siboc dhe urës që lidh Peranin me Letancin”, tha drejtori Muçiqi.

Sipas drejtorit Muçiqi, pesë ura të reja ndërtohen atje ku urat e vjetra vitin e kaluar ishin dëmtuar nga vërshimet.

“Urat e dëmtuara nga vërshimet ishin të një konstruksioni të dobët nga druri. Atje tash do të ndërtojmë ura me material adekuat. Dy ura të reja do të ndërtohen në Siboc, te xhamia e vjetër dhe në Gllamnik, në lagjen Derllupi”, tha Muçiqi.

Punët në ndërtimin urës në qytet është duke i kryer Kompania “Te Burimi”, kurse në Zhiti dhe Repë kompania “Konstruktori”, ndërsa ato në Gllamnik, Siboc do t’i ndërtojë Kompania “Malësia”.

Për ndërtimin e shtatë urave, komuna e Podujevës ka ndarë nga buxheti i saj rreth 130 mijë euro.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/podujeva-nderton-shtate-ura/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala