Po kthehen

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Kosovë po vazhdon riatdhesimi i personave, të cilët muajve të fundit kanë migruar në mënyrë ilegale në vendet e Bashkimit Evropian.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të premten kanë arritur edhe 11 persona nga shteti i Norvegjisë, kurse sipas paralajmërimeve fluksi tjetër i qytetarëve nga vendet e Evropës Perëndimore pritet të arrijë më 31 mars dhe 1 prill.

Kështu thotë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Valon Krasniqi nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, departament ky që funksionon në kuadër të Ministrisë se Brendshme.

“Deri të mërkurën janë kthyer 2679 persona, kryesisht nga Gjermania, Hungaria, Austria dhe Belgjika”.

Pas kthimit të këtyre qytetarëve në Kosovë, çështja kalon te Departamenti për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar. Këta persona nuk përfitojnë nga Programi i Ri-integrimit, por janë disa “skema të natyrës urgjente që mund t’i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit”.

Fahrije Ternava – Sheremeti,  drejtore e këtij departamenti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë sfidë në procesin e re-integrimit. “Këta së fundmi që kanë lëshuar Kosovën ose pas vitit 2010, mund të përfitojnë transport prej aeroportit ose pikave tjera të kalimit kufitar, në rast të kthimeve tokësore, deri në komunën e tyre”.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të siç thuhet “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian”.

Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkaq kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u njihet e drejta e azilit, kurse autoritetet kompetente në Prishtinë, vazhdimisht kanë deklaruar se “numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/po-kthehen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala