Platforma e BE-së kundër terrorizmit

Autori:Gazeta Fjala

Bashkimi Europian synon të përforcojë masat e sigurisë kundër terrorizmit përmes një plani me pesë pika kryesore, ku përfshihet një kontroll më i rreptë dhe i imtësishëm i botës së internetit, regjistrim i të dhënave të personave që hyjnë në vendet e BE-së përmes fluturimeve dhe vendosja e këtyre të dhënave në dispozicion të policisë në çdo kohë që forcat e sigurisë e shikojnë të arsyeshme.

Objektivi është miratimi i këtyre dy pikave brenda këtij viti dhe tri pikave të tjera maksimumi në muajt e parë të 2016-ës.

Interneti, ashtu siç treguan sulmet mbi zyrat e Charlie Hebdo dhe ato të dy javëve më parë në Paris, është instrumenti kryesor i përdorur për rekrutimin e elementëve me prirje radikale dhe më pas radikalizimin e tyre.

Për këtë, Bashkimi Europian ka gati një platformë të emërtuar “European Union IT”. Kjo platformë do të diskutohet më 3 dhjetor mes ministrave të Brendshëm të BE-së dhe gjigantëve të internetit si Tëitter, Facebook, Microsoft, Apple e të tjera. Objekt i këtij takimi do të jetë gjetja e një rruge për t’u dhënë dorë të lirë forcave të sigurisë që të kontrollojnë edhe bisedat private të një përdoruesi të vënë nën hetim.

Një tjetër pikë është përforcimi i kontrolleve të fluturimeve ajrore. Platforma antiterrorizëm e BE-së parashikon grumbullimin, ruajtjen dhe vendosjen në dispozicion të forcave të sigurisë të të dhënave për të gjithë shtetasit që hyjnë në Union nga vende të treta.

Pjesë e propozimeve është edhe hartimi i procedurave të unifikuara dhe standarde për të gjitha vendet e BE-së për të luftuar trafikun e armëve luftarake në Bashkimin Europian./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/platforma-e-be-se-kunder-terrorizmit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala