Plas sherri mes Thaçit dhe Veselit

Ideja e rokadës në Qeveri, me ç’rast kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, do të hiqte dorë nga zgjedhja për president të vendit vitin tjetër, për ta rimarrë postin e kryeministrit, ndërsa kryeministri aktual, Isa Mustafa, ta marrë pozitën e të parit të shtetit, ka shkaktuar përplasje brenda zyrtarëve të lartë të partisë më të madhe në vend.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri” një propozim i tillë nuk është hedhur poshtë nga Thaçi, pasi që, ky i fundit, po qe se do të zgjidhej president i vendit, do ta humbte “timonin” e partisë, të cilin do ta merrte menjëherë Kadri Veseli, aktualisht kryetar i Kuvendit.
Po ashtu Thaçi, sipas këtyre burimeve, nuk është i interesuar t’i hynte garës për presidente, derisa disa deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar publikisht votë kundër tij në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër, zyrtarë të LDK-së nuk janë kundër idesë që Mustafa të zgjidhet president, për një mandat të ri 5-vjeçar, sidomos pas përplasjeve të fundit me opozitën në Kuvend, e cila po i kundërshton ashpër marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.
Gazeta “Zëri” shkruan se gjatë ditës së djeshme ka tentuar të marrë përgjigje nga nënkryetari i PDK-së rreth kësaj çështjeje, mirëpo asnjëri nga ta nuk janë përgjigjur konkretisht. Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së dhe deputeti i kësaj partie, Nait Hasani, ka thënë se kjo çështje nuk është trajtuar në forumet e partisë. Madje, ai ka paralajëruar se para zgjedhjes së presidentit të Kosovës, mund të ketë zhvillime tjera, të cilat do të mund t’i ndryshojnë këto plane.
“Kjo asnjëherë nuk është diskutuar në forumet e partisë. Mund të jetë hipotetike, ndoshta edhe mund të ndodhë, megjithatë mendoj që do të ketë ngjarje të reja që do t’u paraprijnë të gjitha këtyre proceseve”, ka thënë Hasani. /Zëri