Plani për ndalimin e xhamive në Gjermani

Autori:Zekirja Shabani

Dega e Bavarisë së Poshtme e Alternativës për Gjermaninë (AfD) ka paraqitur projektin deri tani më antiislam për programin e partisë populiste të djathtë AfD. Në dokumentin, të cilën e kanë në duar gazetat e “Rrjetit të redaksive Gjermane” (RND), kjo parti kërkon ndalimin e “ndërtimit dhe aktivitetit” të xhamive.

“Xhamitë i shërbejnë jo vetëm “ritualit të përbashkët të faljeve, por edhe përhapjes së doktrinës islame, të drejtuar në eleminimin e rendit tonë juridik”, thuhet në dokumentin me titull “Guxim për përgjegjësi”. Autorët e propozimit më tej pohojnë se Kurani lejon “gënjeshtrën dhe mashtrimin”. Veç kësaj, feja islame “në rrugën e saj të deklaruar për sundim të përbotshëm ka mbërritur tashmë në 57 prej 190 shteteve”

Sulm ndaj lirisë së fesë

Hartuesit e projektprogramit shkruajnë se janë të ndërgjegjshëm se ky hap i ri shkel Ligjin Themelor të Gjermanisë, i cili garanton lirinë e fesë. Por politikanët e djathtë shkruajnë megjithatë se kjo liri duhet të ketë kufi. Në fund të fundit, autorët e Ligjit Themelor nuk mund ta merrnin me mend “se në fushën e zbatimit të kushtetutës mund të hynin edhe fe, të cilat bëjnë thirrje për vepra penale (…) dhe që kanë si pikësynim sundimin e përbotshëm.”

Një grup ekstremist i veçuar brenda AfD, “Krahu” besohet se është përgjegjës për propozimin për programin. Kryetari i degës së AfD-së në Bavari, Petr Bystron u distancua nga dokumenti, por pranoi se kishte dijeni për të.

E pranishme në tri parlamente landesh

Bryston tha se drafti është një kundërpropozim për manifestin zyrtar, që ka publikuar javën e kaluar AfD. Në fund të prillit, AfD do ta miratojë në një kongres programin e saj bazë. Propozimi për ndalimin e ndërtimit të xhamive është deri tani propozimi më radikal për politikën ndaj fesë të AfD-së. Në shkresë thuhet shprehimisht: “Feja islame nuk bën pjesë në Gjermani”. Në Gjermani vlerësohet se jetojnë katër milionë myslimanë, këta janë pesë përqind e të gjithë popullatës. AfD kërkon edhe që femrave t’u ndalohet mbajtja e shamive dhe e çarçafit. Veç kësaj, politikanët në fjalë duan ta kufizojnë ndikimin e fesë islame: p.sh. imamët duhet të shkollohen vetëm në gjermanisht dhe vetëm në universitetet gjermane, kërkohet.

Programi i AfD-së është kthyer që prej sukseseve në zgjedhje të partisë në mars në një temë e madhe. Në tri lande të Gjermanisë populistët e djathtë kanë arritur të hyjnë në parlamente. Një rol të rëndësishëm në fitoret në zgjedhje ka luajtur refuzimi i politikës së Angela Merkelit për refugjatët. AfD përpiqet ta zgjerojë spektrin tematik të saj dhe prandaj e ka vendosur tani fenë islame në shenjestër./DW/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/plani-per-ndalimin-e-xhamive-ne-gjermani/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala