Plagoset rënd një shqiptar në Itali

Një shqiptar është plagosur rënd në Itali, pasi ka tentuar të hyjë për të vjedhur në shtëpinë e një pensionisti 79-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në Torino dhe 39-vjeçari i plagosur është dërguar në spital.
Jeta e tij nuk është në rrezik, por rrezikon të mbetet i paralizuar. Ndërkohë, dy bashkëpunëtorët e tij (nuk dihet nëse janë edhe ata shqiptarë), janë larguar me vrap sapo kanë dëgjuar të shtënat e armës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët kanë marrë në komisariat pronarin e apartamentit dhe po hetojnë.
Sipas shtypit italian, shqiptari quhet Flori Eollaj, 39 vjeç dhe është goditur në shpatull. Fillimisht ai u transportua në spitalin e Cirie, pastaj u transferua në repartin e neurokirurgjisë, ku mjekët kanë realizuar një ndërhyrje delikate kirurgjikale. Plumbi ka prekur kolonën vertebrale dhe ai rrezikon të mbetet i paralizuar.
Policia ka ngritur postblloqe të shumta në zonë për të ndaluar dy bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët u larguan. Për momentin nuk janë marrë masa ndaj pensionistit, arma e të cilit rezulton të ketë qenë me leje.