PK: Liderët opozitarë fyen zyrtarët policorë

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës, përmes një kumtese thotë se në bazë të vendimit të mëhershëm të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës për shtimin e masave të sigurisë, “vazhdon të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Sot me 31 tetor 2015, rreth orës 12:00, gjatë aktiviteteve për mbajtjen e një konference për media nga grupet e caktuara parlamentare, në ndërtesën e Kuvendit të RKS-së, nga hyrja e Presidencës kanë ardhur disa asistentë të grupeve parlamentare dhe pas kontrolleve të nevojshme nga zyrtarët policorë kompetentë janë liruar për të hyrë në ndërtesë të Kuvendit pa ndonjë problem.

Rreth orës 12:15, janë lejuar të hyjnë edhe përfaqësuesit e mediave, ku prezent ishte edhe zyrtari për media i Kuvendit të RKS-së, i cili nën mbikëqyrje ka orientuar gazetarët në hapësirën brenda në kuvend.

Pak minuta më vonë nga hyrja për deputetë në Kuvendin e RKS-së kanë hyrë tre liderët e partive opozitare dhe sipas procedurave të kontrollit janë lejuar pa ndonjë problem të hyjnë brenda.

Ndërkohë kanë ardhur edhe personat tjerë në cilësi të vozitësve dhe asistentëve të tre liderëve opozitarë, të cilët kanë sjell disa folderë, me mbishkrimin peticion dhe pasi kaluan përmes skanerit zyrtarët kompetentë ndërmorën masat e nevojshme për kontrollim dhe verifikim sipas rregullave.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i tre liderëve opozitar të cilët nga ambienti i brendshëm i Juvendit u kthyen te recepcioni dhe ndaj zyrtarëve kompetent në kryerje të detyrave ligjore filluan përpjekjet për të arsyetuar futjen e folderëve në Kuvend, pastaj me ashpërsi kanë kapur folderët, gjithashtu duke fyer dhe duke u përballur e shtyrë me zyrtarët policorë arrijnë të futen brenda dhe drejtohen drejt hollit të kuvendit.

Zyrtarët kompetent policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të menaxhuar tërë këtë situatë të pavolitshme konform rrethanave të shfaqura, ku të përfshirë ishin edhe liderët e tri subjekteve politike.

Shkaku i kompleksitetit të kësaj ngjarjeje në ambientet e Kuvendit të RKS-së, Policia e Kosovës ka filluar hetimet preliminare për identifikimin e çfarëdo lëshimi eventual gjatë angazhimit të zyrtarëve policorë në ofrimin e sigurimit dhe kontrollit në kuvend gjatë ditës së sotme.

Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë, që gjatë veprimeve të tyre apo realizimit të të drejtave ligjore të tyre, të kenë parasysh që sjelljet dhe veprimet e tyre t’i bazojnë në ligjet e aplikueshme në vend”, thuhet në kumtesë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pk-lideret-opozitare-fyen-zyrtaret-policore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala