Piloti vrasës: Do të bëj diçka që emri im të mbahet mend

Piloti vrasës Andreas Lubitz i ka thënë ish të dashurës së tij se po planifikonte një akt nga i cili do të mbahej mend përgjithmonë emri i tij, raportojnë sot mediet gjermane.
Ish e dashura e tij ka thënë se Lubitz ishte një njeri i çmendur që ka mundur të fshehë mendimet e tij negative dhe se shpesh ishte zgjuar gjatë natës duke bërtitur: “ne po rrëzohemi”.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, ajo ka treguar se Lubitz vitin e kaluar i kishte thënë: “Një ditë do të bëj diçka që do të ndryshoj gjithë sistemin dhe pastaj të gjithë do më njohin dhe do më kujtojnë”.
Kur ajo dëgjoi për rrëzimin e aeroplanit Germanwings të martën, menjëherë iu kujtua profecia e Lubitzit.
“Nuk e dija se çfarë donte të thoshte, por tani e kam kuptuar”, ka thënë ajo për gazetën “Bild”, transmeton Koha.net.
Problemet e tij personale dhe sjellja e keqe ishin aq të shpeshta sa ajo ishte e frikësuar dhe vendosi të ndahej nga piloti.
“Kur dëgjova për rrëzimin e aeroplanit, në kokën time filluan të më kujtoheshin momentet kur ai shpesh më thoshte: ‘Një ditë do të bëj diçka që do të ndryshoj gjithë sistemin dhe pastaj të gjithë do më njohin dhe kujtojnë”.
Policia pritet ta intervistojë ish të dashurën e tij që spekulohet se ishte e fejuar me Lubitzin dhe vitin e ardhshëm pritej të martohej me të.