Pikëpyetjet e Rrugës së Arbrit

Autori:Zekirja Shabani

Një projekt i rëndësishëm i lënë përgjysmë për mungesë fondesh pritet të realizohet në formë të përshpejtuar. Rruga e Arbrit do t’i jepet një kompanie kineze. Por, ekspertwt ngrenw dyshimet janë se koncesioni do të ketë kosto për buxhetin, pasi qeveria shqiptare ka marrë përsipër të paguajë kompaninë, në rast të një qarkullimi të pamjaftueshëm në këtë rrugë

Vendi ynë mbetet “i etur” për investimet në infrastrukturën rrugore, pavarësisht realizimit të disa arterieve të mëdha në vitet e fundit. Por, kur flitet për shpenzime që kërkojnë miliona euro, aq më tepër kur debati i vlefshmërisë së Rrugës së Kombit, nuk ka marrë ende një konfirmim në terma ekonomikë, pikëpyetjet bëhen të mëdha për investimet në rrugë.

Pak kohë më parë, në Kuvend ka mbërritur një projektligj, përmes të cilit qeveria parashikon një procedurë të përshpejtuar për të dhënë me koncesion ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Sipas këtij projektligji, një kompani shtetërore kineze, është treguar e gatshme të financojë pjesën e mbetur të rrugës për një gjatësi 25 kilometra. Por, ende pa filluar diskutimi i këtij projektligji në Kuvend, janë hapur debate mes ekspertëve të ekonomisë. Shqetësimi lidhet me nxitimin, siç e quajnë ekonomistët, të dhënies së këtij koncesioni, dhe dyshimet, nëse një hap i tillë, i cili në pamje të parë nuk ka kosto për buxhetin e shtetit (vetë ministri Haxhinasto ka theksuar se kinezët kanë ardhur me paratë e tyre), mund të na kushtojë më shumë se ç’duhet, kur të ndërtohet e të vihet në funksion.

Pikëpyetjet u forcuan, kur ministri i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, pranoi para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë se kompanisë kineze i janë ofruar disa garanci të veçanta, mes së cilës, impenjimi për të paguar nga buxheti, nëse transiti në këtë rrugë nuk do të arrijë një kuotë mesatare të vlerësuar nga kompania. Sipas Haxhinastos, “në këtë kontratë është parashikuar një formë e re garancie. Kjo garanci trafiku do të jepet si pagesë në rast se niveli i qarkullimit të automjeteve do të jetë nën një nivel të caktuar, i cili shkon deri në atë nivel që garanton pikën e kthimit të investimit”. Impenjimi për të ardhmen ngjan me atë të marrë pak vite më parë për hidrocentralet e vogla dhe që sot po u duket një barrë e rëndë financave. Por, shqetësimi është te rreziku i lartë që kjo rrugë mund të mos ketë fluksin e mjaftueshëm të automjeteve (të cilat do të paguajnë taksë). Përdorimi i kësaj rruge ka një rrezik të lartë për t’u kompromentuar nga investimet në anën tjetër të kufirit në Maqedoni, dhe për këtë është i ndërgjegjshëm edhe vetë Haxhinasto. “Sigurisht që kjo vepër duhej të ishte koordinuar në mënyrë më të mirë edhe me fqinjët tanë, pasi i njëjti standard rruge që do të ndërtojmë duhej të ishte dhe në pjesën tjetër. Kështu, qëllimin që pati kur e iniciuam veprën, për të shkurtuar distancën Tiranë-Shkup, ta realizojmë sa më mirë”, theksoi ministri në Komisionin e Ekonomisë. Një tjetër garanci që po diskutohet është ajo e shtrirjes në një kohë më të gjatë se mesatarja e periudhës koncesionare, pra të shfrytëzimit të rrugës pas ndërtimit të saj.

Ekonomistët kundër

Mënyra e zgjedhur për të përfunduar Rrugën e Arbrit kritikohet nga ekonomistët, si në aspektin praktik, edhe në precedentin juridik që mund të krijojë kjo formë e përshpejtuar. Sipas ekonomistit Zef Preçi, “kjo procedurë e përshpejtuar prokurimi është e panevojshme, madje e dëmshme, pasi krijon disa pasoja: Nga një anë krijon një terren ku mund të përdoren procedura ekstraligjore prokurimi, të paparashikuara në legjislacionin shqiptar. Në të njëjtën kohë, lihet shteg që kostoja të përcaktohet nga kompani, për rrjedhojë termat e borxhit janë tërësisht në favor të palës që e ofron”. Me pak fjalë, sipas tij, cenohen interesat e ekonomisë sonë kombëtare.

Sipas ekonomistit Ervin Minarolli, “përjashtimi që bën ky projektligj justifikohet me statusin projekt i rëndësisë së veçantë. Thuhet që është një prioritet afatgjatë, por pa evidentuar përse është prioritet afatgjatë”. Sipas tij, edhe afati për t’u njohur me këtë projekt është i pamjaftueshëm për palët e interesit. “Afati i përcaktuar është 60 ditë, i pamjaftueshëm për ekspertët për të studiuar çështje financiare të studimit, fizibilitetit, etj,”, thekson ai.

Paqartësitë për kostot e mundshme në të ardhmen bien në kundërshti edhe me angazhimin e qeverisë shqiptare në marrëveshjen e programit trevjeçar të asistencës së saj me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në raportet e tyre, ekspertët e FMN-së kanë theksuar se Shqipëria, duhet të shlyejë detyrimet e prapambetura, por njëkohësisht duhet të kujdeset që të mos krijojë detyrime të tjera.

Ministria e Ekonomisë: Gjatësia e rrugës shkurtohet 75 km

Në relacionin që shoqëron projektligjin theksohet se “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, ka ndërmarrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë, me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë të efektshme për negocimin dhe lidhjen e kontratës për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze ‘China State Construction Company’”. Ky përjashtim, thuhet në relacion, do të mundësojë lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit të këtij segmenti rrugor në një kohë më të shkurtër, duke mundësuar kursimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove operacionale të mjeteve.

Projektligji propozohet në kuadër të programit analitik të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, i cili përcakton se ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i Rrugës së Arbrit paraqitet të jetë një ndër prioritetet afatgjata të qeverisë dhe si një segment me rëndësi të veçantë që luan rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Rruga fillon në dalje të qytetit të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, pasi kalon segmentet e projektuara, tenderuar dhe në proces ndërtimi nga ARRSH-ja, dhe si segment i pafilluar ka një gjatësi prej 26.8 km, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara, me gjerësi nga 3.75 metra dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë. Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 metra linearë, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 metra linearë. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i rreth 106 copë tombinove si dhe ndërtimi i katër intersektimeve. Në argumentin e saj, Ministria e Ekonomisë vëren se, “zbatimi i projektit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit do të ketë impakt pozitiv, ekonomik, social dhe kulturor, duke shkurtuar distancat lidhëse të qyteteve dhe zonave të banuara, si dhe do të realizojë standarde të larta teknike në të gjitha fazat e projektit. Ky segment rrugor do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet vendeve fqinje, duke bërë të mundur shkurtimin e gjatësisë së tij me 75 km”.

Mirëmbajtja e rrugëve, 2.5 miliardë lekë në vit

Investimet e nisura me nxitim, e shpesh të mbetura përgjysmë, janë vetëm njëra anë e medaljes së infrastrukturës sonë rrugore. Ana tjetër, është mirëmbajtja e tyre. Shpesh në buxhet nuk parashikohet mirëmbajta për vitet në vijim, ndërsa Ministria e Transportit po shikon mundësinë e futjes së taksës së rrugës. “Kemi ende nevoja shumë emergjente për të përmirësuar mirëmbajtjen e veprave rrugore. Nuk kemi lidhur ende qendrat e vendit në mënyrë optimale. Është e domosdoshme të mbyllim hendekun e madh të trashëguar për të investuar për të sjellë rrjetin në normalitet. Duhen midis 80-90 milionë euro, për rrugët e përfunduara e për të sjellë në koeficientin normal të mirëmbajtjes gjithë rrjetin që ka Shqipëria”. Sipas Haxhinastos, jemi ende larg normave të kërkuara. Shifrat e mirëmbajtjes kanë qenë 1.6 miliardë lekë në vit, ne e kemi çuar në 2.5 miliardë lekë, ku është përfshirë sinjalistika”. /Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pikepyetjet-e-rruges-se-arbrit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala