‘Peshqit’ e mëdhenj, të paprekshëm

Gjykatat kosovare vazhdojnë t’i amnistojnë “peshqit e mëdhenj të korrupsionit”, pavarësisht se ky fenomen negativ ka “lëshuar rrënjë” në vend.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, javë më parë në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit ka pranuar se korrupsioni është prezent gati në të gjitha institucionet e vendit.
Megjithatë, sipas tij, nuk mund të luftohet korrupsioni duke kërkuar “peshq të mëdhenj”.
“Konsideroj që peshk i madh është çdonjëri që është i korruptuar”, ka theksuar Mustafa.
Me “peshq të mëdhenj” nënkuptohen politikanë dhe afaristë të profilit të lartë, të cilët kanë grumbulluar pasurinë e tyre përmes krimit dhe korrupsionit dhe të cilët janë imunë nga drejtësia.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, pati potencuar faktin se sondazhet tregojnë se qytetarët e shohin korrupsionin si pengesën kryesore.
“Progresi në të gjitha këto fusha është jetik për Kosovën, që të gjejë vendin që i takon si anëtare e të gjitha institucioneve dhe grupeve kyçe euroatlantike”, ka thënë Delawie. /Zeri