Pesë vitet e ardhshme, vendimtare për Kosovën drejt BE-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit do të jetë kyç për të ardhmen e Kosovës drejt hapit tjetër për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për zbatim të suksesshëm të MSA-së, Kosova duhet të ketë institucione të forta dhe një Kuvend funksional.

Në konferencën për konsultimet publike për draftin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, u kërkua që të bashkohen forcat nga të gjitha institucionet për zbatimin e MSA-së.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku tha se hartimi i programit kombëtar është bazë ligjore që rrjedh nga MSA-ja, respektivisht neni 74 i cili thotë se Kosova do të siguron që legjislacioni vendor do të jetë i përafruar me legjislacionin e BE-së.

Sipas tij, plani kombëtar ka tri blloqe, kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet e BE-së.

“Zbatimi i suksesshëm i MSA-së në veçanti gjatë pesë viteve të ardhshme do të jetë vendimtar për vet të ardhmen tonë, pasi që nga kjo do të varet edhe hapi tjetër i madh, pra statusi i vendit kandidat dhe fillimi i negociatave për anëtarësim. Kjo fazë e re do të kërkoj reformimin e kornizës aktuale të politikave për integrim evropian duke e bërë atë me ambicioze, me gjithëpërfshirëse dhe me të integruar. Pra, dokumentin që e kemi sot për të diskutuar është platforma e duhur në këtë drejtim dhe unë nuk kam dyshim se kjo platformë do të pasurohet edhe me tutje pas diskutimeve që bashkërisht do t’i keni sot si pjesëmarrës dhe hisedar në këtë proces”, theksoi Çollaku.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar tha se MSA-ja është marrëveshja e parë mes Kosovës dhe BE-së, apo marrëveshja më gjithëpërfshirëse që ka nënshkruar Kosova ndonjëherë për të ardhmen evropiane të saj.

Ai theksoi se për implementimin e MSA-së, duhet të ketë institucione të forta dhe Kuvend funksional.

“Institucionet e forta janë të domosdoshme për implementimin e marrëveshjes. Kosovës i duhet një funksionim i duhur i institucioneve, institucioneve që sigurojnë edhe cilësi. Institucionet gjuhësore kanë nevojë për fuqizim dhe kjo mbetet sfida kryesore, dhe në këtë kuptim lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të përforcohet dhe gjallërohet. MAS i ndihmon Kosovës ta fuqizoj demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe kontribuon në stabilitetin politik. MSA është një lajm shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës…Kërkohet të jetë një Kuvend funksional ku të gjithë deputetët punojnë në një mënyrë të sigurt dhe duam që të gjithë deputetët të futën në një dialog dhe në fuqinë e argumentit që të hedhin fuqi në përpara dhe propozime për zhvillime ekonomike dhe progres të vendit. Na duhet edhe deputetë që luftojnë për ide se si të përmirësohet jeta e qytetarëve të Kosovës”, tha Zbogar.

Ndërsa, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se ky do të jetë dokumenti udhëzues strategjik për Kosovën për vitet që vijnë. Sipas saj, fakti që Kosova tashmë ka arritur deri këtu në përgatitjen e programit kombëtar tregon angazhimin e saj pro-aktiv në këtë proces.

“Gjithashtu Kuvendi dhe shoqëria civile duhet të luajnë rolin e tyre aktiv në këtë proces që të jetë shtet demokratik. Kuvendi duhet të bëjë dialog dhe të angazhoj dhe t’i diskutoj këto çështje. Si Kuvendi ashtu edhe shoqëria civile dhe organizatat e saj duhet të bëjnë pyetje dhe të hyjnë në dialog me Qeverinë dhe të gjithë të angazhohen në këtë proces”, tha ajo.

Në zbatimin e MSA-së, rol të rëndësishëm do të ketë edhe Kuvendi i Kosovës. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Teuta Sahatqija tha se kjo marrëveshje rrit përgjegjësinë për institucionet e Kosovës, ku duke zbatuar suksesshëm këtë marrëveshje, Kosova përgatitet për hapat tjerë të integrimit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik për Zhvillim, (D4D), Leon Malazogu kërkoi që të gjithë të jenë të bashkuar në proceset integruese, pavarësisht çfarë qëndrimesh politike kanë, sepse ndryshe, Kosova do të ngecë në zbatimin e MSA-së.

“Një gjë që mund të na bashkoi gjithë neve është pikërisht agjenda evropiane dhe kjo ka ndodhur në disa vende. Para disa ditësh ishte një konferencë me përfaqësuesit nga Kroacia dhe gjëja kryesore që mbajta mend ishte që për gjërat kryesore bëmë armëpushim, pozita dhe opozita punuar bashkë. Ndoshta luftuan në gjithë sferat tjera, por punuan bashkë në integrimet evropiane. Mendoj që kjo është një leksion që duhet ta nxjerrim. Vullneti politik është kyç që ta arrijmë këtë, pasi prek shumë palë të interesit, e dyta përpjekjet janë shumë të vështira, dhe e treta është se gjithë ky rrugëtim nuk është pa armiq”, theksoi Malazogu.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pese-vitet-e-ardhshme-vendimtare-per-kosoven-drejt-be-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala