Personi që u kap në Vetëvendosje nuk është polic, ja çfarë ndodhi aty

Burime të Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë sqaruar në detaje rastin që Lëvizja Vetëvendosje e quan tentim-vendosje të pajisjeve të spiunazhit në selinë e kësaj partie.
Sipas këtyre burimeve, policia rreth orës 15:20 kishte marrë një informatë se në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje një person i dyshimtë kishte hyrë në hapësirën e tyre.
“Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me dy aktivistë të Vetëvendosjes, Veton D. Dhe Nol N. të cilët kanë thënë se rreth orës 15:00 në selinë e Vetëvendosjes ka hyrë një person që për ta është dukur i dyshimtë dhe ka shkuar tek tualeti që sipas tyre gjendet afër zyrës së kryetarit të Grupit parlamentar të VV-së në katin e tretë”, thonë burimet.
Tutje, personi i dyshimtë është pyetur nga dy aktivistët se çka është duke kërkuar aty, ndërsa personi i dyshimtë u është përgjigjur se ka nevojë të për ta shfrytëzuar WC-në
“I dyshimti është Muhamet Mehmet Krasniqi i lindur më 06.06 të vitit 1971 dhe banues në Prishtinë”, thonë burimet e Indeksonline.
Sipas tij, i njëjti ka shkuar në restorantin që ndodhet në ndërtesën e Vetëvendosjes në katin e gjashtë, ka pirë kafe dhe ka dalë për të shfrytëzuar WC-në. Ai ka hyrë në të duke mos ditur se mund të paraqes pengesë dhe kur ka dalë është ndaluar nga dy personat e lartcekur të cilët e kanë pyetur se pse ai kishte shkuar në atë vend.
“Në momentin që policia e kanë takuar këtë person, i dyshimti me vete ka pasur një magnet ngjyrë të zezë dhe një bateri dot të vogël, një letër-folie të pakos së cigareve dhe asgjë tjetër.
“Për këtë janë intervistuar dy aktivistët e VV-së dhe i dyshuarit. Më pas personat e intervistuar janë liruar”, thonë burimet.
Versioni i Vetëvendosjes
Lëvizja Vetëvendosje pretendon se në zyrën e tyre qendrore kanë kapur një person derisa provonte fshehurazi të vendoste përgjues pranë zyrës së kryetarit Visar Ymeri.
LVV njofton se personi i kapur nga ta ka pohuar se është pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ata kanë bashkangjitur edhe fotografi të personit në fjalë, të cilin thonë se e kanë dorëzuar në polici, dhe po ashtu të pajisjeve që iu janë gjetur atij.
E krejt këtë veprim Vetëvendosje pretendon se e ka porositur kryeministri Isa Mustafa