Personat që nuk do të gjykohen nga Specialja

Autori:Avdyl Pajaziti

Askush nuk gjykohet para Dhomave të Specializuara për vepra për të cilat ai tashmë është gjykuar nga ndonjë gjykatë e Kosovës dhe as për vepra për të cilat ai tashmë është gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar.

Projektligji po ashtu sqaron se edhe ata persona që do të gjykohen nga Dhomat e Specializuara, nuk do të gjykohen për vepra të njëjta, nga ndonjë gjykatë tjetër e Kosovës.

Juridiksioni i Dhomave të Specializuara, nuk i nënshtrohet ndonjë amnistie.

Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji, shkruan Zëri.

Mbështetje financiare u ofrohet edhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të personave të akuzuar, si shpenzimet e udhëtimit, akomodimit e mëditjeve ditore.

Personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë pranë Dhomave të Specializuara, kanë të drejtë të kërkojnë kompensim në rast se ata shpallen të pafajshëm.

Dëshmitarët që nuk përgjigjen, burgosen

Çdo person që është i pranishëm në Kosovë dhe që thirret si dëshmitar nga Dhomat e Specializuara ose Prokurori i Specializuar, e ka për detyrë që t’i përgjigjet thirrjes.

“Mbrojtja e dëshmitarëve, siguria dhe konfidencialiteti merren parasysh dhe shqyrtohen para çdo kërkese të tillë”, thuhet në Projektligj.

Por në rast se dëshmitari i thirrur nuk paraqitet, nuk e arsyeton mungesën, ose largohet nga vendi ku do duhej të merrej në pyetje pa leje, ai dëshmitar mund të gjobitet deri në 250 euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet. E nëse dëshmitari refuzon të dëshmojë edhe pasi të jetë gjobitur, ai mund të burgoset.

“Burgimi zgjat për aq kohë sa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura penale të përfundojë”, thuhet ndër të tjera në këto projektligje.

Ligji parasheh që rregullat e procedurës dhe provave do të përfshijnë dispozita të posaçme për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve të ndjeshëm, përfshirë viktimat e dhunës seksuale, viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe fëmijët.

Masat mbrojtëse zbatohen gjatë procedurës në rastin e viktimave të dhunës seksuale dhe gjinore apo dëshmitarit, viktimës fëmijë.

Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, që do të jetë pjesë e Dhomave të Specializuara, mund të bëjë përfaqësime para gjyqtarit të procedurës paraprake, panelit ose prokurorit të specializuar lidhur me masat mbrojtëse, mekanizmat e sigurisë, këshillimin dhe asistencën e nevojshme për dëshmitarin para, gjatë dhe pas dëshmisë dhënë para Dhomave të Specializuara, transmeton Zëri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/personat-qe-nuk-do-te-gjykohen-nga-specialja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala