Personalitete të mëdha mbështesin Kosovën në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosovën në rrugën katërmujore të saj për anëtarësim në UNESCO e kanë mbështetur edhe figura më peshë të politikës dhe artit.

Përveç një sërë shtetesh që kanë lobuar që Kosova të jetë pjesë e agjencionit të OKB-së për arsim, shkencë dhe kulturë, këtë proces e ka përkrahur edhe ish-presidenti i Finlandës, Marty Ahtisari, njëherësh ish-ndërmjetësues i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Vjenë.

Kosovën në rrugën e saj drejt UNESCO-s e kanë mbështetur edhe dhjetëra profesorë të shquar ndërkombëtarë.

Me nismën e Institutit RIDEA, dhjetë profesorë ndërkombëtarë të shquar në fushat e tyre të dijes dhe nga universitete me renome nga bota perëndimore, i janë drejtuar me një letër të hapur Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Letër mbështetëse për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, kanë dërguar edhe ish-ambasadorët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (administratorë të Kosovës gjatë periudhës së UNMIK-ut): Bernard Kouchner, Michael Steiner, Søren Jesen-Petersen, Joachim Rücker.

Këngëtarja me famë botërore, e cila ka prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka qenë njëra nga mbështetëset e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Unë i përkrah përpjekjet e autoriteteve të vendit tim të lindjes në angazhimin e Kosovës në të gjitha forumet multilaterale – duke përfshirë UNESCO, në mënyrë që të sigurohet se populli i Kosovës, rinia e Kosovës, kanë qasje në më shumë mundësi. Gjithashtu, të drejtat e tyre do të mbrohen më mirë”, ka shtuar Ora.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/personalitete-te-medha-mbeshtesin-kosoven-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala