Përshkrimi i shkeljeve të konkurrueshmrisë

Autori:Zekirja Shabani

ANTIKARTEL

“Marrëveshje” do të thotë çdo kontratë, marrëveshje, mirëkuptim ose aranzhim, qoftë ajo me shkrim apo jo. “Marrëveshje” janë marrëveshjet e çdo forme, te lidhura ndërmjet ndërmarrjeve, me ose pa forcë detyruese, vendimet ose rekomandimet e grupimeve të ndërmarrjeve, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat veprojnë në të njëjtin nivel, pra marrëveshje horizontale ose në nivele të ndryshme, pra marrëveshje vertikale, të tregut.

Marrëveshjet e ndaluara

Ligji për konkurrencen 2004/36, neni 3  i ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kan si objekt ose si pasoje pengimin, kufizimin e shtrembërimin e konkurrencës ne treg, veçanërisht marrëveshjet qe: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejte ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; zbatojnë kushte te ndryshme për transaksione te njëjta me palë të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

Kartel

Ujdi midis firmave konkurrente që hartohet për të kufizuar apo shmangur konkurrencën midis tyre, dhe synon rritjen e çmimeve dhe të fitimeve të ndërmarrjeve pjesëmarrëse, pa ofruar asnjë përfitim shtesë në të cilin të mbështetet kjo rritje. Në praktikë, kjo realizohet duke fiksuar çmimet, duke kufizuar prodhimin, duke bërë ndarje të tregjeve, të klientëve apo të territoreve, duke manipuluar tenderat ose duke kombinuar disa nga kufizimet e sipërpërmendura. Kartelet janë në dëm të konsumatorëve dhe të shoqërisë  në përgjithësi, sepse ndërmarrjet që marrin pjesë në to vendosin çmime më të larta (dhe marrin fitime më të mëdha) sesa në një treg konkurrues.

Abuzimi me Pozitën Dominuese 

“Pozitë dominuese” është pozita e një ose më shumë ndërmarrjeve, që i lejon ato të jenë të afta të veprojnë, për sa i takon ofertës ose kërkesës, në mënyrë të pavarur nga pjesëmarrësit e tjerë në treg, si: konkurrentët, klientët ose konsumatorët.

Konstatimi i ekzistimit të pozitës dominante

Neni 14 i ligjit për konkurrencen 2004/36 percakton se ekziston pozita dominuese ne ato raste:

14.1. Ndërmarrja ka pozitë dominuese nëse, si furnizuese ose blerëse e disa llojeve të caktuara të mallrave ose shërbimeve: ajo nuk i nënshtrohet konkurrencës së vertetë; ose ka fuqi superiore në treg në krahasim me konkurrentët e saj ekzistues ose potencial;për këtë qëllim, do të mirret parasysh veqanërisht pjesëmarrja dhe pozita e saj në tregun përkatës, fuqia e saj financiare, qasja e saj ndaj furnizimeve ose tregjeve, lidhjet e saj me ndërmarrjet e tjera, pengesat juridike ose faktike për hyrjen e ndërmarrjeve të tjera në treg, konkurrenca aktuale ose potenciale me ndërmarrjet e themeluara brenda ose jashtë Kosovës, lehtësia ose vështirësia me të cilën ajo mund të ndryshojë furnizimin e mallrave ose shërbimeve të tjera si dhe aftësitë e  furnizuesve ose klientëve të saj që të zhvillojnë afarizëm me ndërmarrje të tjera.

14.2. Një ndërmarrje konsiderohet të ketë pozitë dominuese nëse ka pjesëmarrje më të madhe se 40% në treg. Ky konsiderim nuk është i aplikueshëm në rast se ndërmarrja në fjalë bindshëm demonstron se është e ekspozuar para një konkurrence të konsiderueshme ose që nuk ka pozitë superiore në treg në krahasim me konkurrentët e vet, duke i marrur parasyshë faktorët e specifikuar në nenin 14.1.b.

14.3. Dy ose më shumë ndërmarrje kanë pozitë dominuese nëse, si blerës ose shitës të disa llojeve të caktuara të mallrave ose shërbimeve, nuk ekziston konkurrencë e fortë ndërmjet tyre, dhe ato nuk i nënshtrohen konkurrencës së vërtetë; ose së bashku kanë fuqi superiore në treg në krahasim me konkurrentët e tyre, duke marrë parasysh aktorët e specifikuar në pikën b të nenit 14.1.b.

14.4. Dy apo më shumë ndërmarrje konsiderohet të kenë pozitë dominuese nëse kanë pjesëmarrje të përbashkët më të madhe se 40% në treg. Pesë ndërmarrje apo më pak konsiderohet të kenë pozitë dominuese nëse kanë pjesëmarrje të përbashkët prej së paku 70% në treg. Ky konsiderim i bazuar në këtë paragraf 14.4 nuk është i aplikueshëm në rast se ndërmarrjet në fjalë bindshëm demonstrojnë se kushtet e konkurrencës kërkojnë që ato të mbajnë konkurrencë të konsiderueshme ndërmjet veti ose që nuk kanë bashkarisht pozitë superiore në treg në krahasim me konkurrentët tjerë që i kanë, duke i marrur parasyshë faktorët e specifikuar në nenin 14.1.b.

Konstatimi i shpërdorimit të pozitës dominuese

Neni 15

Shpërdorimi i ndaluar i pozitës dominuese ekziston nëse, si furnizues ose blerës i disa llojesh të caktuara të mallrave ose shërbimeve, një ose më shumë ndërmarrje më pozitë dominuese: ndikon negativisht në konkurrencën e tregut duke dëmtuar aftësinë e ndërmarrjeve tjera për konkurrim në treg; kërkon pagesa ose kushte të tjera afariste që dallojnë nga ato që ka shumë të ngjarë se do të mbizotëronin po të kishte konkurrencë efektive, në këtë kontekst, do të mirret parasysh sjellja e ndërmarrjeve në tregjet e krahasueshme që karakterizohen me konkurrencë efektive; kërkon pagesa më pak të favorshme ose kushte të tjera afariste nga ç’kërkon prej blerësve të ngjajshëm në tregje të krahasueshme, përveç nëse ka arsyetim objektiv për dallimin e tillë; refuzon që t’ju lejojë ndërmarrjeve tjera, si kompensim për shfrytëzimin e arsyeshëm, përdorimin e rrjetave ndërlidhëse dhe infrastrukturës së saj, nëse shfrytëzimi i përbashkët ose qasja e tillë kërkohet nga këto ndërmarrje tjera, për arsye juridike ose faktike, që të veprojë si konkurrent i ndërmarrjes dominuese; sidoqoftë, kjo nuk do të  përbëjë shpërdorim nëse ndërmarrja dominuese bindshëm dëshmon se për arsyeteknike, operacionale ose arsye të tjera, lejimi i shfytëzimit të përbashkët ose qasjes është i pamundshëm ose nga ana tregtare jo i besueshëm; ose shfrytëzimi i pozitës në treg për të krijuar ndërmarrje tjera që i dhurojnë atij qëllime privilegjuese, përveq nëse qëllimi është i arsyeshëm për një trajtim të tillë favorizues.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pershkrimi-i-shkeljeve-te-konkurrueshmrise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala